Telegrafi

Këpucët flasin, ato tregojnë kush jemi!

Nga: Getoarbë Mulliqi

Femrat zakonisht kanë shumë këpucë! Ato do të mund t’i ndërronin ato të paktën një herë, çdo ditë nga një palë, për të paktën tre muaj! Pra nëse e përdorim teorinë e probabilitetit, atëherë vijmë në përfundim se një femër ka 3.5 herë më shumë këpucë se sa pantallona, dhe 6 herë më shumë këpucë se sa xhaketa! Pra: A janë këpucët aksesorët tonë apo ne jemi aksesorët e tyre?

Është më se evidente se ne paguajmë për aksesorët tonë, por nga këndvështrimi im dhe eksperienca, gjithashtu, për këpucë “ia vlen barra qiranë”, ato mund të prishen pasi që i kam veshur vetëm tri herë, por nëse më kanë bërë të ndihem mirë dhe rehatshëm, dhe më e rëndësishmja “superiore” ato pak raste që i kam veshur, po që ia ka vlejtur. E ndoshta edhe më shumë se vetëm vlejtur…

Tom Hanks, në filmin e tij “Forrest Gump” e përdor këtë thënie (e cila më intrigoi dhe e tërhoqi të tërë vëmendjen time) “Mami gjithmonë thoshte, se shumë gjëra mund të thuhen për një person vetëm nga këpucët e tij: ku po shkojnë dhe ku ishin. Kam veshur shumë këpucë. Dhe nëse vërtetë ulem e mendoj atëherë vështirë që do më kujtoheshin këpucët e mia të para”. Dhe mamaja e tij po që kishte të drejtë. Shumë të drejtë, madje! Por prapë do të kthehesha në fillim, kjo thënie i takon më shumë femrave! Këpucët e femrave zakonisht kanë aftësinë ta “definojnë” personalitetin e një femre. Ato mund të tregojnë: kush është ajo, me çka merret dhe çfarë punon? Pra një femër ka nevojë, për disa palë këpucë; ngjyra të ndryshme, material të ndryshëm, dizajn, etj.
Për shembull, varet nga vendi që punon, punës që bën, sensit të humorit dhe disa çështje të tjera të natyrës femërore. “Çështje “të tjera të natyrës femërore” që mbajnë kaq fabrika këpucësh gjallë, disenjator me famë (edhe pas vdekjes), dyqane hapur, etj!

Femrat çmenden për këpucë, pa dyshim! Shumë prej tyre nuk iu rezistojnë dot dyqaneve me këpucë. Ato medoemos “duhet” t’i blejnë një palë këpucë të reja, sa herë që u rastis të kalojnë nga një dyqan këpucësh (dhe unë jam njëra nga ato!). Aq shumë prej tyre i mbajnë “nën vëzhgim” vitrinat e dyqaneve të këpucëve, posaçërisht kur në po ato vitrina janë gjashtë shkronja të arta që e formojnë fjalën “ZBRITJE”. Gjatë zbritjeve, parkingjet janë të stërmbushura, dhe dyqanet e këpucëve janë të stër-populluara me femra të cilat kanë dy apo tre palë këpucë në duar dhe në nënsqetull. Dhe kjo “fotografi” ia jep përshtypjen një kalimtari (jo të varur nga këpucët, apo këpucizuar) se në atë dyqan po jepen gjëra FALAS! Mendime/ëndrra të bukura, që nuk realizohen… fatkeqësisht!

Dhe duke u nisur nga thënia e njohur “përshtypja e parë është ajo që zgjatë”, kjo definitivisht ka të bëj me një femër…ups, dhe duke mos harruar as këpucët e saj! Sido që të jetë, kjo nuk është diçka që femrat e praktikojnë me aksesorët e tjerë! Përderisa një femër është plotësisht e kënaqur me veten ajo vesh dhe vendos çfarëdo (që ndoshta duhet e pavërtetë, por më besoni që ndodh), dhe pikërisht kur e arrijnë fenomenin “paraqitja e parë” ato ndihen ndryshe…më mirë! Dhe kjo nuk është praktikë e meshkujve (me përjashtime)! Meshkujt blejnë këpucë për nevoja utilitare! TIPIKE MASHKULLORE!

Në ditët e sotme nëse nuk kam mbathur një palë këpucë të preferuara, atëherë stereotipi “modë” për mua është i papërmbushur/ unë fuqishëm besoj se për ta njohur mirë një femër (edhe pse është gati e pamundur), shikoni këpucët e saj më nga afër, dhe edhe më nga afër koleksionin e saj të këpucëve! Një palë atlete diku në mesin e shumë këpucëve; ja ku kemi një sportdashëse apo edhe sportbërëse! Kaubojka, mbase dëshira për takat e përshtatshme, apo mbase edhe një kauboje! Një koleksion i tërë këpucësh të njëjta që dallojnë vetëm nga ngjyra (mundësisht me ngjyra më të errëta), kemi të bëjmë më një femër zyrtare, që punon në zyrë, etj.

A jemi të varur nga lëkura apo po abuzojmë me të? Përkufizimi im për modën, gjithmonë duke iu referuar këpucëve, është ky: “Sa më shumë lëkurë që kemi, aq më shumë duam të kemi!, kështu që të dashura, bëni kujdes, kjo është një varësi, nga ato më të këqijat! Më besoni!

Asnjëherë nuk kemi mjaft! Është një lloj abuzimi me substancën lëkurë! Unë e njoh këtë ndjenjë, këpucët faktikisht na flasin, mund t’ua ndjesh aromën prej shumë larg dhe ndjehesh sikur “duhet” t’i kesh ato… edhe nëse jo të mbathura, të paktën në qesen e shopingut dhe pastaj në mini-parajsën tonë, në dollapin e këpucëve! Për shembull, që nga koha kur unë i kam blerë një palë këpucë rozë (të cilat i kam ende), kam gjetur qetësi shpirtërore vetëm gjatë kohës që i kam shikuar. Këpucët (edhe ato të miat) janë edhe inspirimi im! Unë mund të flas për to tërë ditën, çdo ditë… çdo dot të jetës sime! Madje edhe të shkruaj një dramë (si në rastin tim) për një palë këpucë GUCCI! Si për shembull: mund të arrish të ndërtosh një lidhje me këpucët tuaja! Dhe madje ka edhe përfitime nga kjo lidhje, nuk të tradhtojnë, nuk ndahen nga ti, të bëjnë të ndihesh mirë me “prezencën” e tyre dhe mbi të gjitha të bëjnë të ndihesh edhe bukur edhe seksi, njëkohësisht. Nga ky përfundim mbase edhe u nis Sarah Jessica Parker, në serialin “Sex and the city” kur e përdor thënien, “…lidhja më egzaltuase, domethënëse dhe e fuqishme nga të gjitha është ajo që keni me veten tuaj!

Nëse arrini të gjeni dikë që do ta dojë “vetën” që ju e doni, atëherë kjo është veçse e mrekullueshme.” Dhe femrat po që e kanë gjithmonë atë “dikë”, i kanë këpucët e tyre! Por kjo më bëri të mendoj për një çështje shumë për t’u marrë parasysh “ a jemi të varur nga lëkura apo po abuzojmë me të? Mbase pak nga të dyja! Shikoni gjithë këto të këpucizuara, janë të varura nga lëkura, dhe në anën tjetër “qëllimisht” përballen me abuzimin që i bëjnë asaj, dhe as që përpiqen të heqin dorë nga diçka që e duan shumë, për ndoshta diçka më të mirë! Si për shembull para në portofol dhe pak hapësirë për të menduar për gjëra më të rëndësishme se sa këpucët!

Si ka mundësi që dikush u frikësohet këpucëve? Sa e çuditshme mund të jetë kjo? Ka aq shumë njerëz (posaçërisht të gjinisë femërore) që i duan shumë këpucët, dhe kanë këtë varësi të “çuditshme” karshi disa të tjerëve (që unë aspak nuk i kuptoj) të cilët kanë fobi nga këpucët! Madje për këtë nuk ka as term adekuat. Por hyn në grupin e fobisë nga veshjet që është VESTIFOBIA. Por për ta kuptuar frikën nga këpucët, së pari duhet të ndalemi dhe të mendojmë për varësinë ndaj këpucëve! Sido që të jetë, unë e kuptoj se përse ish-kryetari i SHBA-ve, George W. Bush , do të kishte fobi nga këpucët, (që ka shumë mundësi të ketë) pasi që u “godit” me një! Por çka për sa i përket një nëne të “dëshpëruar” e cila në një spektakël televiziv rrëfen se si fëmijët e saj kanë fobi nga këpucët. Më fal zonjë, a ke provuar t’ua shpjegosh ndonjëherë fëmijëve të tu se këpucët janë krijuar për t’i dashur? Mendoj që, JO! Ndoshta është faji juaj, ndoshta nuk ke qenë e kujdesshme sa duhet gjatë rritjes se mos vallë i janë vrarë këmbët nga një palë këpucë kur kanë qenë të vegjël, mos ndoshta kanë fobi nga ndonjë ngjyrë e caktuar për ndonjë rast të caktuar, apo çfarëdo qoftë, sepse frika nga këpucët nuk shpjegohet ndryshe, vetëm me rastin e ish-presidentit Bush!

Pra, të dashur prindër, kujdestarë, apo njerëz më influencë tek infantilët, ju lutem bëni kujdes dhe u tregoni fëmijëve tuaj se këpucët madje mund të jenë edhe miku i tyre më i mirë (ato u mbrojnë këmbët)! Këtë, ua garantoj! Dhoma ime duket kaq bukur dhe si një parajsë e vockël me shumë këpucë, madje me shumë përgjegjësi them se aty gjej paqe dhe prehem! Dhe kjo nuk ka të bëjë me këpucalismin, kjo ka të bëjë me faktin se njeriu ka nevojë të mbështetet në diçka, edhe nëse ajo është vetëm një këpucë e vetme!Dhe nëse kthehemi pas në kohë, më saktësisht para lindjes së Krishtit, përballemi me politeizmin, ku njerëzit kanë besuar në gjëra të ndryshme, si në diell, lopë, dru, lum, pemë, etj. Kështu që sado patetike që mund të tingëllojë, unë besoj fuqishëm, që ata që janë të varur nga këpucët, e kanë prejardhjen nga ky fenomen, dhe arrijnë që prehjen ta gjejnë në ato! Pra, mos u frikësoni nga këpucët! Ato na duan vërtetë! /Telegrafi/ 

Getoarbë Mulliqi