Kohët e fundit u botua prej “Città del Sole Edizioni” në Rexho Kalabria, rrëfimi historik “Italianët e Shqipërisë, histori e shkurtër e një ndarjeje të madhe”, punim që për momentin është vetëm në internet
Në fund të Luftës së Dytë botërore, brenda pak kohësh, kufijtë e Shqipërisë u mbyllën hermetikisht, duke mbajtur brenda tyre qytetarë të shumtë italianë, që kishin ardhur në Vendin e Shqiponjave, në kohë të ndryshme, për arsye të ndryshme. Një histori në pjesën më të madhe e harruar, apo e fshehur me qëllim nga pala italiane për ta fshehur të shkuarën fashiste dhe tërheqjen shkatërrimtare pas 8 shtatorit 1943, që të mos prisheshin marrëdhëniet ndërkombëtare të rendit të ri gjeopolitik të pasluftës, por edhe për një inerci të thjeshtë dhe banale të administratës dhe politikës.
Ishin anijet e viteve të para të viteve ’90, plot me qytetarë shqiptarë të drejtuar përkundrejt mitit të Italisë së begatë dhe të lirë, në kërkim të Amerikës së tyre personale, që t’i sillnin në atdheun e harruar disa prej atyre italianëve. Që nga ajo periudhë filluan të dilnin histori izolimesh, vite të burgosjeve politike të egra, keqtrajtime, ndarje shoqërore dhe kulturore. Një histori e gjatë dhe e detajuar që zë fill duke filluar nga aspiratat imperialiste të fashizmit.
Gjithçka zuri fill në vitet ’20, kur Italia vendosi të investonte në shtetin e vogël ballkanik të pavarur nga Perandoria otomane në vitin 1912. Para, punë publike, ndërtime infrastrukturash sollën në Shqipëri shumë qytetarë italianë. Të parët qenë peshkatarët puljezë që mbërritën menjëherë pas Luftës së Parë botërore, pas të cilëve Musolini dërgoi shumë të tjerë bashkë me sipërmarrësit, forcat e rendit, profesionistë me familjet e tyre që në vitin 1941 do të arrinin deri në 51 mijë. Depërtimi progresiv italian në Shqipëri kulmoi më 7 prill 1939 me pushtimin e vendit dhe përurimin e një procesi të italianizimit dhe kolonializimit që ishte i destinuar të zgjaste pak kohë. Më 28 tetor 1940 nga kufiri mori rrugë ajo që duhej të ishte fushata e shpejtë dhe e frytshme në Greqi. Të 140 mijë ushtarët e rreshtuar në front në realitet të pajisur jo mirë për ashpërsinë e territorit helen në pak kohë e shndërruan ndërmarrjen e tyre në fatkeqësi, duke ia lënë Gjermanisë plotësimin pushtimit në prill 1941.
Por nuk ishte kjo humbje, as humbjet e mëdha mes radhëve të italianëve që e përcaktuan tragjedinë e vërtetë, pasi ajo erdhi me armëpushimin e vitit 1943. U bënë papritur armiq dhe italianët u gjendën mes dy zjarresh: ai i gjermanëve dhe ai i ish të nënshtruarve, shqiptarëve që ndërkohë ishin organizuar në Lëvizjen për çlirim kombëtar, ku bënte pjesë partia komuniste e Enver Hoxhës dhe Fronti kombëtar. Ishin të paktë Italianët që u bashkuan me rezistencën dhe që shpëtuan kokën nga dhuna e përhapur që, për shumë arsye, të kujtojnë shtypjet titiste ndaj italianëve të Iatrias dhe Dalmacisë.
Të etiketuar shpesh në mënyrë jo kritike fashistë, italianët u gjendën për më tepër në kurth. Në ndryshim nga Titoja që, veç shtypjes së dhunshme, zgjodhi rrugën e përjashtimit, duke i shtyrë në eksod italianët, Enver Hoxha, në fund të luftës, i mbylli kufijtë.
Në vitet 1945 – 1950 u luajt me fatin e italianëve të Shqipërisë përmes përuljeve të ndryshme. Ushtarakët që kishin marrë pjesë në rezistencë, interesante me këtë rast ngjarja me Brigadën Gramshi, mundën të kthehen në shtëpi me nderim ushtarak; ushtarakët e tjerë, ata që u shpëtuan arrestimeve gjermane, duke u fshehur, ranë peng i shqiptarëve, u rikthyen edhe ata, por pa armë dhe me vështirësi të mëdha. Pjesa më e madhe e civilëve u bllokuan dhe pësuan trajtime më të këqija.
Në veçanti funksionarët e shtetit, karabinierët dhe forcat e rendit për shkak të afrisë së dukshme me regjimin fashist, patën procese farsë, dënime shumë të ashpra dhe ndonjëherë deri në dënime me vdekje. Punëtorët e thjeshtë mbetën për shumë vjet në një regjim gjysmë të lirë, as gratë dhe burrat e shqiptarëve nuk patën mundësi të riktheheshin në Itali, duke e vuajtur kështu një mërgim të detyruar, pa asnjë të drejtë lidhur me nënshtetësinë italiane.
Për këto ngjarje dhe shumë të tilla të panjohura, shkroi për herë të parë W. Bonapace, studiues, historian dhe pedagog që kreu kërkime në arkiva dhe dëgjoi dëshmitarë të asaj kohe, udhëtoi në vendet për të cilat ai flet. Përtej rindërtimit historik rigoroz, diti gjithashtu, të nxirrte me mençuri drama personale dhe familjare, fakte të çuditshme dhe vuajtje për fate të padëshiruara, por që nuk kishin mundësi shpëtimi.
Me interes të veçantë dokumentacioni arkivor dhe fotografik që autori boton (letra autografe të dërguara nga familjarë italianë për ushtarakët në Shqipëri, kartolina të ushtarakëve të dërguara nga fronti shqiptar, dëshmi që vërtetojnë dënimin me 15 vjet punë të detyruar të Petrit Merlikës me vendimin N.606 të datës 31.10.1946 të Gjykatës së lartë të Tiranës, dëshmi të Ministrisë së Drejtësisë shqiptare të 18 nëntorit 1946 që vërteton dënimin me burgim të përjetshëm dhe sekuestrim të pasurisë së Mario Guarnierit, Letra e 25 prillit 1945 të Gjeneral Piçinit drejtuar kryeministrit shqiptar Enver Hoxha të cilit i kërkon sqarime në emër të ministrit të Jashtëm Alçide de Gasperit për arrestimin e zëvendëskonsullit të Italisë Luigji Aloizit, fotografi kujtim e takimit midis deputetit Paolo Palermo, gjeneral dhe zëvendësministër i luftës dhe Enver Hoxhës, në Tiranë, në marsin e vitit 1945, procesverbal përmbledhës të bisedave midis zëvendësministrit Palermo dhe Enver Hoxhës nga 10-14 mars 1945), listë e materialeve të sekuestruara të refugjatëve italianë nga autoritetet shqiptare të portit, të cilëve u bëhet (më kot) kërkesë sqarimi, dëshmi e 19 dhjetorit 1989 e Ambasadës italiane në Tiranë që vërteton dënimin me 10 vjet punë të detyruar për Maria Iorion) dëshmi e frytit të një kërkimi të gjerë.
Përgatiti për botim: Arjan Th. Kallco