Në Eurovisionin e këtij viti që do të mbahet në Kiev të Ukrainës, pritet që Gjermania të përfaqësohet nga këngëtarja Levina.
Ajo do të paraqitet me këngën “Perfect Life”, me të cilën u përzgjodh si fituese në garën kombëtare në Gjermani.
Së fundmi, Levina ka qenë në Tiranë dhe vetë ajo ka postuar në Facebook një fotografi, ku shfaqet duke bërë shqiponjën me duar.
“Mirëdita Tirana, çfarë vendi i bukur, faleminderit për mikpritjen. Sot mësova për këtë shenjë që përfaqëson zogun (shpendin) e flamurit shqiptar. Të festojmë shumëllojshmërinë”, ka shkruar këngëtarja, citon Blitz.al.
Mirëpo, imazhi i saj me një mesazh të ëmbël nuk është pritur aq mirë nga komentuesit që e kanë kritikuar pasi, sipas tyre, shqiponja nuk mund të quhet thjesht zog, por është një simbol për shqiptarët që duhet trajtuar me respekt.