Genc Prelvukaj, këngëtari i njohur që dikur ishte pjesë e grupit legjendar “Etno Engjujt”, këtë vit provoi veten në politikë, duke garuar në zgjedhjet e fundit si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Megjithatë, bazuar në rezultatet e deritanishme, ai nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Prelvukaj e ka pranuar këtë rezultat me qetësi dhe mirënjohje, duke shpërndarë një status në rrjetin social Facebook, ku reflekton mbi këtë eksperiencë dhe falënderon votuesit e tij.
Në postimin e tij, artisti dhe tani ish-kandidati për deputet thekson se gjatë kësaj periudhe ka pasur rastin të takohet me njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke e cilësuar këtë si një përvojë të çmuar. “Për disa muaj me radhë kam punuar në terren për procesin elektoral… Kam pasur nderin të njoh të burgosur politikë, veteranë të luftës, studentë, profesorë, bujq, historianë, mjekë, inxhinierë, gazetarë dhe më shumë”, shkruan ai.
Prelvukaj shpreh bindjen se gjatë gjithë fushatës ka ndjekur një qasje të argumentuar dhe etike, duke shmangur gjuhën e ashpër dhe sulmet personale, një element që ndonjëherë ka munguar në politikën kosovare. Megjithëse numri i votave të fituara nga ai arrin në rreth 12,000, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.
“Ndoshta në këtë proces kam mundur të bëj më shumë, më mirë dhe më saktë, por nuk ka relevancë më. Nuk më ka luftuar askush nga brenda, vota nuk më është marrë, nga struktura e partisë kam pasur trajtim korrekt dhe jam i nderuar për këtë”, shton ai në mesazhin e tij.
Në fund të postimit, Genc Prelvukaj shprehet mirënjohës ndaj të gjithë atyre që e mbështetën dhe premton të vazhdojë të besojë dhe kontribuojë për Partinë Demokratike të Kosovës, siç ka bërë për më shumë se dy dekada.
Kandidimi i tij në këto zgjedhje ishte një risi për publikun, duke parë se si një artist me një karrierë të gjatë në muzikë tentoi të hynte në politikë. Pavarësisht rezultatit, ai duket se ka fituar një eksperiencë të vlefshme dhe përkrahjen e mijëra votuesve që besuan në të. /Telegrafi/