Site icon Telegrafi

Këngëtaret tona, “kukulla” të zhveshura e pa zë!

Kosova pas vitit 1999, krahas shumë fenomeneve të mira e të këqija, u mbush edhe me mediume elektronike dhe të shkruara nga më modernet. Si shoqëri, menjëherë pas përfundimit të luftës ishim të etur të dëgjonim e të shikonim gjëra me vlerë, gjëra shqip. Por, mediet tona, që të tre televizionet, në masë të madhe na ofruan gjëra që nuk u kontribuojnë shoqërive në tranzicion, as kësaj sonës.

Madje, njëri nga ta të tre na servoi vazhdimisht seriale të çfarëdollojshme e të ngadoqofshme, me temat më të prekshme për shoqërinë tonë: dashurinë – për njërin të realizueshme (të lumtur), për tjetrin të parealizueshme (tragjike); sociale – njëri shumë i pasur (por i parehatshëm), tjetri shumë fukara (por zengjin); njëri bandit i madh, tjetri shumë i urtë e një grup femrash prostituta ose të ngjashme me to, të serialeve latino-amerikanë e portugezë, shfaqeshin para syve të familjeve tona.

Herë-herë edhe këngëtaret e lezetshme të Kosovës para ose pas tyre! Por, a është kjo kulturë? A është ky komunikim i pranueshëm për çdonjërin? Duhet t’i pranojmë apo t’i refuzojmë këto medie, këta seriale, këto e këta këngëtar/e?

Duhet kujtuar se para luftës për të qenë këngëtar është dashur të kalohet para komisioneve të kualifikuara. Nga ta dilnin vetëm ata që kishin talent dhe tregoheshin të suksesshëm. Kurse sot situata ka ndryshuar për 90 shkallë. Për t’u bërë këngëtare mjafton të kesh krah të fortë, prindër të pasur, dashnor biznesmen dhe të zhvishesh sa më shumë. E, fare pak të duhet talenti.

Pra, mënyrat më të mira për t’i “dëshmuar” aftësitë e këndimit te ne, fatkeqësisht, janë: lakuriqësia dhe pamja e jashtme, “luku”, që për publikun kosovar, në masën më të madhe të dy milionë banorëve, më shumë lënë përshtypje sesa zëri i këndshëm.

Në kohën tonë mediet elektronike, veçmas televizioni, ka ndikim të madh në opinion. Ndikimin e tij te fëmijët e vëmë re po qe se pa praninë tonë fëmijët përcjellin ose kanë përcjellë, duke kënduar e dredhur belin, ashtu gjysmë të zhveshura, njërën këngëtare të këtij soji që po përmendim në këtë vështrim sociologjik. Kjo situatë shumë familjeve ua ka humbur rrugën në oborr, ua ka turbulluar mendjen, ani pse për dikë tjetër mendohet se është stil evropian, modern, i dashur për këtë kohë edhe për fëmijët e tyre.

Kur në televizionet tona, në emisionet e ndryshme, shohim këngëtare të pranishme, ato i shohim, të shpeshtën e herëve: gjysmë të zhveshura, që mundohen me mish e shpirt të na ofrojnë simpati. Aq duket që janë të preokupuara për dukjen e tyre saqë gjatë gjithë emisionit përkëdhelin duart, flokët, hanë thonjtë dhe falënderojnë mamatë për përkrahje për dukjen e tyre. Por, po bëri t’i pyesësh për këngën, përgjigjen më të parë do ta marrësh: nuk e di. Ajo nuk është punë e imja. E kryen kompozitori. Kurse, po qe se u kërkohet të këndojnë, së paku një refren drejtpërdrejt, për nafakë qëllojnë: o të ftohura o me grip! Iu pëlqen të rrinë vetëm gojëmbyllura, kurse të qeshin kur dëgjojnë komplimentet e udhëheqësve të emisioneve, të cilët të çojnë mall se nuk janë duke intervistuar këngëtare, por manikene ose fotomodele.

Këngët e këtyre këngëtareve, qoftë edhe atyre këngëtarëve që u ngjasojnë këtyre edhe për nga dukja, janë shumë të dobëta e të pakuptimta. Hair i qoftë nëse edhe kjo është kulturë, edhe pse po kuptojmë se: sa më shumë që zhvishesh aq më shumë do të bëhesh e famshme.

Së këndejmi, përpos bukurisë së tyre që t’i merr sytë, veçohet edhe vallëzimi i tyre, që mund të jetë, para gjithë të tjerave, karakteristikë për ndonjë film romancë ose pornografik. Aq shumë dridhen saqë mbajmë belin tonë me duar mos po na këputet!

Një ndër të metat e kësaj pjese të estradës sonë qëndron në pamundësinë për t’u organizuar në formë dhe në përmbajtje ligjore ku do të mënjanoheshin të metat e plagjiaturës, sidomos tek ato këngëtare që vetën e konsiderojnë si VIP-a me tekste të këngëve të vjedhura, me muzikë, sekuenca të vidoklipeve, po ashtu, të vjedhura. Kjo dukuri e plagjiaturës, estradës sonë i ka kushtuar shumë pak materialisht e shumë pak edhe moralisht. Pra, këtu mungon femra më e mirë dhe më e thjeshtë, ashtu sikurse teksti i këngës, zëri i këngëtares/rit, stili i veshjes e i prezantimit kreativ, e assesi vlerat e eksportuara me provizione shumë të lira.

Kjo çorbë e lirë ua ka djegur buzët shumëkujt. Nëse edhe kështu ndjehen krenarë, si plagjiatorë, ne jemi ajka më e mirë që nuk shkruajmë e nuk këndojmë kurrë si ta. Veçse, nëse kanë mbledhur pak dije, besojmë se ende janë duke krrokatur sikurse korbi i E. A. Poesë: Never more! Pra, i premtojnë vetes se nuk do ta bëjnë kurrë më një hajni tjetër!

(Autorja është gazetare e diplomuar dhe vijon studimet bachelor në Sociologji)

Exit mobile version