Site icon Telegrafi

Këngëtarë dhe mësimdhënës: Si është një festë 7 marsi e artistëve që ndajnë jetën e tyre mes muzikës dhe dhënies së dijes

Data 7 mars është një nga më të veçantat e muajit që hap stinën e pranverës.

E njohur ndryshe si Dita e Mësuesit, kjo datë ka një rëndësi edhe më të veçantë për shqiptarët, pasi e njëjta datë i kthen në faktet e historisë, të cilat tregojnë se ishte 7 marsi i vitit 1887, kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe.

Me kalimin e viteve, kjo festë tradicionalisht u shënua si Dita e Mësuesit, dhe si e tillë kremtohet nga të gjithë mësimdhënësit anë e kënd trojeve shqiptare.

Shkolla e Parë Shqipe në Korçë, Shqipëri (Foto: Wikipedia)

Mbledhja e mimozave të freskëta, të cilat janë ndër lulet e para që çelin marsin, dikur ishin dhurata që të gjithë fëmijët vraponin për tu bërë atyre që u falnin diturinë, teksa në ditët e sotme festa në fjalë si çdo tjetër, nuk e gëzon respektin dhe lavdinë e dikurshme.

Sidoqoftë një gjë mbetet e njëjtë: shpirti festiv dhe dëshira për të falënderuara ata që japin dije!

Një ndjenjë të tillë kanë fatin që ta përjetojnë edhe disa nga artistët më të shquar të skenës shqipe, të cilët njëherësh përveç muzikës, merren edhe me mësimdhënie.

Telegrafi ka realizuar një storje të veçantë për këtë 7 mars, duke pyetur pikërisht disa nga këta këngëtarë, për të cilët skena nuk është vendi i vetëm ku ata shprehin dhe dhurojnë talentin e tyre.

Adelina Thaçi-Meta

Foto: Adelina Thaçi/Instagram

Këngëtarja shumë e dashur për publikun, Adelina Thaçi-meta, e njohur falë këngëve të saj që janë pritur mirë gjithmonë nga audienca, ka tash e 16 vite që ushtron edhe profesionin e profesoreshës së muzikës. Ajo për Telegrafin tregoi rëndësinë që kjo festë ka për të.

“7 Marsin, tash që edhe vet po mbush 16 vite si profesoreshë e mësuese, e shoh si përgjegjësi dhe mision te shenjtë. Shpesh, më del parasysh, mësuesja ime,sikurse edhe arsimtarët e profesorët që më kanë përcjellë gjatë ngritjes akademike dhe profesionale. Për fat timin, mësuesja ime, për mua edhe sot është person i shenjtë. Andaj kjo ditë tashmë që 16 vite ka vlerën edhe më të madhe dhe shumë domethënëse”, ka thënë Adelina Thaçi-Meta për Telegrafin.

Adelina Thaçi në piano shoqëruar nga nxënëset e saj (Foto: Adelina Thaçi/Instagram)

Adelina ushtron profesionin e saj si profesoreshë e kantos në Shkollën e Muzikës “Çesk Zadeja”, dhe madje shquhet edhe si njëra ndër themelueset e kësaj shkolle. Në vazhdimin e bisedës, ajo tregoi për Telegrafin, relacionet që ruan me nxënësit e saj.

“Lidhja me nxënësit është shpirtërore, është lidhje e veçantë. Sepse për katër vite me radhë, çdo ditë je me ata, të bëhen pjesë e vetës e e jetës, e zënë një vend të posaçëm tek ne, bëhen në një mënyre si fëmijët tanë, unë fatmirësisht jam shumë e lumtur që për këto vite si pedagoge, kam raporte të mrekullueshme edhe me nxënësit që disa tashmë i kam dhe kolegë, kjo më gëzon pa masë, pra lidhja me nxënësit e mi është shumë e veçantë dhe kjo më lumturon shumë!”, ka theksuar Adelina.

Elizabeta Qarri

Këngëtarja e muzikës së mirëfilltë shqiptare, Elizabeta Qarri, është gjithashtu një tjetër emër i suksesshëm në fushën e arsimit. Ajo ushtron prej vitesh postin e profesoreshës së muzikë në Universitetin AAB në Prishtinë, në lëndët Muzikologji dhe Shkenca Sociale, piano etj.

Në një rrëfim për Telegrafin, Qarri thekson se ndjehet e emocionuar sa herë që kjo datë afron, duke pasur parasysh faktin që mbetet një festë unike e popullit shqiptar.

“Emocioni për respektin e mësuesit edhe sot filloi në mëngjesin e këtij 7 marsi, i cili sikur edhe here tjera nisi me kujtimin për ata që më mësuan se ka vetëm një rrugë të vërtetë drejt dijes, e ajo është rruga drejt librit. Misioni fisnik i mësuesit shqiptar ka qenë dhe mbetet kauza më e madhe e kombit tonë, ajo që mbajti gjallë gjuhën e kulturën tonë”, ka thënë Elizabeta Qarri për Telegrafin.

Në vazhdimin e bisedës, ajo thotë se këtë 7 mars e festoi në mesin e urimeve të shumta që pranoi nga studentët e saj, ndërsa nuk munguan kujtimet nga e kaluara, të cilat e rikthejnë në kohën kur edhe ajo ishte nxënëse apo studente.

“Edhe këtë 7 mars e nisa me kujtimin e mësueses sime dhe po mbyll me urimet e shumta të nxënësve e studentëve të mi, të cilët gjatë gjithë ditës më mbushën zemrën me përgëzimet më të ngrohta e më të sinqerta. Më lumturoi pamasë respekti nga këta nxënës e studentë të mi. Mirënjohja është dhurata më e shtrenjtë për një mësimdhënës. Kur dashuron profesionin që ushtron është privilegj i madh, por ky privilegj duhet të përcjellet me përgjegjësi dhe pasion. Dikur roli i mësuesit shoqërohej me një respekt të madh në shoqëri, ndërsa sot akoma nuk po arrijmë që të njohim sakrificën e dinjitetin e mësuesit, nuk po arrijmë ta vlerësojmë e shpërblejmë sa duhet. Uroj që kjo datë simbolike të na rikujtojë se puna e mësuesit duhet vlerësuar ç’do ditë, sepse respekti e falënderimi janë ato që i jep kuptim këtij profesioni fisnik. Gëzuar 7 marsin”, përfundon rrëfimin e saj Elizabeta Qarri për Telegrafi.

Mahmut Ferati

Foto: Mahmut Ferati/Facebook

Edhe këngëtari i mirënjohur i muzikës popullore, Mahmut Ferati, ka një arsye të veçantë që ta festojë 7 marsin, kjo ngase edhe ai gëzon statusin e profesorit.

“Festa e 7 marsit për mua është një festë e veçantë. Më 7 mars u hapë shkolla e parë shqipe në Korçë më 1887 ku mësuesi i parë ishte Pandeli Sotiri dhe njëheësh ishte drejtori i parë i shkollës shqipe. Mu atëherë lulëzuan shkëndijat e para të diturisë. Dita e mësuesit është e veçanta dhe e shenjta sepse ata janë të parët që të mësojnë të shkruajmë e të lexojmë dhe hapin rrugë edhe në fusha tjera të ndryshme në jetë, pra hapat e parë i marrim në shkollë. Unë si Profesorë punoj me një përkushtim jashtëzakonisht të madh dhe mundohem me melodinë dhe këngën time t’i fusë në vallen e diturisë dhe të lë gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave të rinj, për t’ua bërë jetën dhe të ardhmen e tyre të ndritur. Uroj të gjithë kolegëve e kolegeve 7 marsin ditën e mësuesit si ditë e veçantë për punën e tyre të palodhshme dhe të pa kursyer për të mirën e nxënësve”, ka thënë këngëtari për Telegrafin.

Foto: Mahmut Ferati/Facebook

Mahmut Ferati ushtron profesionin e tij si profesor në Gjimnazin Fillologjik “Eqrem Qabej” në Prishtinë. Për urimin e Ditës së Mësuesit, u kujdesën shumë nga nxënësit e tij.

“Kryesisht në shkollë edhe pse kishim mësim të rregullt, është pritur jashtëzakonisht mirë nga nxënësit dhe profesorët. Sot për 7 mars nxënësit uronin profesorëve dhe kishte dhurata për kujdestarët e klasave. Uronim edhe kolegët njëri-tjetrin, kurse nga institucionet mendoj se nuk e japin atë rëndësinë e duhur që i takon mësuesit. Me nxënësit kaloj shumë mirë, mundohem të japë maksimumin për ta që ta kuptojnë bukur vallen e diturisë, sjelljeve, respektin e mbi të gjitha të krijojmë pozitivitet në ardhmërinë e tyre”, ka përfunduar Mahmut Ferati për Telegrafin.

Dita e Mësuesit do të vazhdojë të mbetet një datë e shënuar për ata që transmetojnë diturinë e tyre tek shpresa e fundit e ardhmërisë, por që edhe këtë të fundit nuk duhet harruar kurrë se nga kush u këshilluan drejt avancimit e tyre në rrugën që ata zgjedhin. /Telegrafi/

Exit mobile version