Site icon Telegrafi

“Kënga vetëvrasëse hungareze”

Për mitin urban thotë se shumë persona kanë bërë vetëvrasje, pasi e kanë dëgjuar këngën “E diela e zymtë”.

Kjo këngë, kur u shkrua më 1933, titullohej “Bota ka marrë fund”. Teksti dhe muzika ishin të artistit Rezso Seress. Ky version fliste për tmerret që sjell lufta, meqë autori hebre kishte frikë prej ngritjes së nazizmit. Në fakt, frika e tij del e vërtetë, sepse më vonë do të internohet në kampet e vdekjes në Ukrainë, nga të cilat ai shpëton, por jo edhe nëna e tij.

Seress tërë jetën e ka kaluar në varfëri, edhe pse me këtë këngë do të bënte jetë të mirë sikur të mos përtonte të shkonte në SHBA për të kërkuar të drejtat e autorësisë. Ai ishte një bohem, që kishte qejf t’i binte pianos në një lokal që njihej më shumë për prostitutat se për të! Ishte edhe person depresiv i cili disa herë ka tentuar vetëvrasjen dhe që me vetëvrasje i jep fund jetës së tij (në moshën 78-vjeçare).

Kënga për herë të parë u incizua me vargje të poetit Laszlo Javor, ku “protagonisti” bën vetëvrasje pas vdekjes së të dashurës së tij. Ky version u këndua nga Pal Kalmar dhe si një këngë e dashurisë fatale u bë shpejtë e famshme – kudo në botë. Nga kjo temë dhe lajmet që pasuan, nisi miti i “Këngës vetëvrasëse hungareze”.

“E diela e zymtë” është incizuar në mbi 100 versione, nga artistë të njohur, sidomos në SHBA. BBC e ka ndaluar deri më 2002 transmetimin e versionit – ndoshta më të mirin – të kënduar nga e madhja Billie Holiday e të incizuar më 1941 me vargje të një prej tekstshkruesve më të njohur të kohës, Sam M. Lewis.

Ndërlidhje me fakte mes vetëvrasjeve të raportuara dhe kësaj kënge nuk ka. Siç nuk kishte fakte – pos llafeve dikur – se shqiptarët në Kosovë po bëjnë vetëvrasje menjëherë pasi po e lexojnë romanin “Pse” të Sterjo Spasses! Dikur këto “lajme” njiheshin si legjenda urbane, e sot si: “Fake News”.

Më poshtë janë e katër versione më të njohura të teksteve të së “Dielës së zymtë”. Versioni me tekst Seressit që përkon me vuajtjet që sjell lufta, nuk është incizuar. Në video (audio) mund të dëgjoni versionet e kënduara nga: Pal Kalmar (me tekst të shkruar nga Laszlo Javor), Billie Holiday (me tekst të shkruar nga Sam M. Lewis) dhe Paul Robeson (me tekst të shkruar nga: Desmond Carter)

Rezso Seress

1. E DIELA E ZYMTË (TEKSTI: REZSO SERESS)

Është vjeshtë dhe gjethet po bien
Në tokë ka vdekur gjithë dashuria
Era qan me lot pikëllimi
Zemra ime nuk do të shpresojë kurrë për pranverën e re
Lotët dhe pikëllimet e mia janë pa vlerë
Njerëzit janë të pashpirt, lakmitarë e të ligë…
Dashuria ka vdekur!
Bota ka shkuar tek fundi i vet, shpresa pushoi të ketë kuptim
Qytetet janë zhdukur, predha po bën muzikë
Livadhet janë ngjyrosur në të kuqe, me gjak njeriu
Ka njerëz të vdekur kudo nëpër rrugë
Unë do ta them një lutje të heshtur:
Njerëzit janë mëkatarë, Zot, ata bëjnë gabime…
Bota ka marrë fund

2. E DIELA E ZYMTË (TEKSTI: LASZLO JAVOR)

E diel e zymtë me njëqind lule të bardha
Me lutje të prisja ty e dashur
Të dielën në mëngjes, duke vrapuar pas ëndrrave të mia
Karroca e pikëllimit u kthye tek unë pa ty
Që atëherë të dielat a mia janë përherë të trishtuara
Lotët janë pija ime e vetme, pikëllimi është buka ime…
E diela e zymtë
Këtë të diele të fundit, të lutem e dashur eja tek unë
Do të jetë aty një prift, një arkivol, një makinë varrimi dhe një qefin
Do të ketë lule për ty, lule dhe një arkivol
Nën pemët e lulëzuara do të ndodh udhëtimi im i fundit
Sytë e mi do të jenë të hapur, që të mund të të shoh për herë të fundit
Mos ke frikë nga sytë e mi, po të bekoj madje edhe në vdekjen time…
E diela e fundit

3. E DIELA E ZYMTË (TEKSTI: SAM M. LEWIS)

E diela është e zymtë, koha ime është pa gjumë
E dashur, hijet me të cilat jetoj janë të panumërta
Lulet e vogla të bardha kurrë nuk do të të zgjojnë
Jo aty ku karroca e zezë e pikëllimit të ka marrë
Engjëjt nuk e kanë nijet të të kthejnë ndonjëherë
A do të zemërohen nëse mendoj të të bashkohem?
E diela e zymtë
E zymtë është e diela, e me hije e kaloj të tërën
Zemra ime dhe unë kemi vendosur t’i japim fund çdo gjëje
E di, së shpejti do të ketë qirinj dhe xhemat të trishtuar
Le të mos të qajnë, le ta dinë se jam i lumtur që po shkoj
Vdekja nuk është ëndërr, sepse në vdekje të ledhatoj
Me frymën e fundit të shpirtit do t’bekoj
E diela e zymtë
Duke ëndërruar, isha veç duke ëndërruar
Zgjohem dhe të shoh tek fle këtu, në thellësi të zemrës sime
E dashur, shpresoj se ëndrra ime kurrë nuk do të të ndjek
Zemra ime të flet se sa kisha nevojë për ty
E diela e zymtë

4. E DIELA E ZYMTË (TEKSTI: DESMOND CARTER)

Mjerisht, një të diele kam pritur e kam pritur
Me lule në krahët e mi, për ëndrrën që kam krijuar
Prita derisa ëndrrat, sikurse zemra ime, u thyen që të gjitha
Lulet ishin që të gjitha të vyshkura dhe fjalët ishin pashprehura
Pikëllimi që e njihja ishte përtej çdo ngushëllimi
E rrahura e zemrës sime ishte një zile që kumbonte
Më e mjera e të gjitha të dielave
Pastaj erdhi një e diel, kur ti erdhe për të më gjetur
Më mërzitën në kishë e unë të lash pas
Sytë e mi nuk mund ta shihnin atë që doja të më donte
Toka dhe lulet janë gjithnjë mbi mua
Zilja kumbonte për mua dhe era pëshpëriti, “kurrë!”
Por, ty të kam dashur dhe të kam bekuar përgjithmonë
E fundit e të gjitha të dielave të mia

/Telegrafi/

Exit mobile version