Telegrafi

Kënga “Shokut” e Muharrem Qenës – edhe një plagjiaturë

Para më shumë se dhjetë vjetëve është ngritur një debat për këngën “E dehur jam” dhe origjinën kësaj kënge, që Telegrafi e ka dhënë së pari të vërtetën se është këngë e hebreut të Turqisë, Dario Moreno.

Mes shumë diskutimeve për plagjiatura, tashti del një tjetër këngë e Muharrem Qenës që nuk është origjinale.

Vajza e Muharrem Qenës, Rebeka Qena, në një status të publikuar rreth një viti më parë – në llogarinë e saj zyrtare në Facebook – e kishte prezantuar këtë material muzikor si kompozim të babait të saj.

“Muharrem Qena është kantautor i pesë këngëve: ‘Oj Hanë’, ‘Kaçurrelja’; ‘Tetori’; ‘Mine’, “Shokut”. Këngët tjera që mund t’i keni dëgjuar e ju ndërlidhin me emrin e tij janë këngë të cilat ai i interpreton”, kishte shkruar ndër të tjerash Rebeka Qena, mes polemikave të shumta dhe akuzave nga familja Qiriazi për përvetësim të këngës “Erveheja”.

Por, mesa duket, kënga “Shokut” nuk është kompozim origjinal i Qenës, por e “huazuar” nga një artist tjetër hebre.

Ka qenë gazetari i Telegrafit, Agron Shala, ai i cili përmes një statusi të publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka shkruar se kënga “Shokut” e ka burimin nga hebreu i Algjerisë, Lili Boniche, dhe se titulli origjinal i kësaj është “Ana El Owerka”.

“Dmth. edhe kënga “Shokut” nuk eshte kenge shqiptare. Kur miqve u fola per këngën “E dehur jam…” (qe e bene lajm pastaj), me thoshin (pos Daut Dautit), Dario Moreno e ka vjedhe kete kenge! Kenga “Shokut” e ka burimin nga hebreu i Algjerisë, Lili Boniche (siç ishte Dario Merono, hebre i Turqisë). Titulli origjinal eshte “Ana El Owerka” (sic.), ka shkruar Shala.

Në fakt, nëse e shihni deri në fund filmin e vitit 2009, “Lebanon”, e dëgjon “origjinalin” e këngës … “Shokut”. /Telegrafi/