Është bërë thuajse e zakonshme që këngët pjesëmarrëse në Eurovision të akuzohen për plagjiaturë, ndërsa këtë vit ky epitet ka shkuar për këngën përfaqësuese të Kroacisë, “Crazy”.
Franka Batelic është këngëtarja që do ta përfaqësojë Kroacinë në Festivalin evropian të këngës, mirëpo kënga që ajo interpreton është e ngjashme me një këngë tjetër.
25-vjeçarja, e cila është fituese e dikurshme e spektaklit për talentë, Showtime, në Kroaci (një shou i ngjashëm me ‘X Factor’), u konfirmua si pjesëmarrëse në Eurosong më 13 shkurt.
Mirëpo, kënga nuk ishte publikuar në kanalin zyrtar të Eurovisionit deri më 7 mars. Para se të publikohej “Crazy”, në YouTube më 24 shkurt u publikua kënga “Ceea ce iubim” e artistit rumun, Guez.
https://www.youtube.com/watch?v=0YeP3liZhoU
Siç shkruan Metro.co.uk, të dyja këngët janë shumë të ngjashme, ndërsa kënga e Guez është dëgjuar dyfish më shumë se ajo e Frankas në shërbimin për shpërndarjen e videove.
Por, duke qenë se plagjiatura nënkupton kopjimin e këngës pa leje, ky nuk është rasti me këngën përfaqësuese të Kroacisë, pasi Franka ka treguar se projekti ishte përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe ishte realizuar nga Denis Mevlja (i njohur si Denzel Beats).
Tekstin e ka shkruar vet këngëtarja, e cila ia ka bërë edhe vijën melodike, ndërsa për produksionin është angazhuar edhe HRT. Mirëpo, më pas, Denzel Beats ia ka dhënë të drejtën Guezit që ta shfrytëzojë muzikën e tij. Për këtë arsye, nuk ka pasur ankesa për plagjiaturë, pasi që kompozitori i të dyja këngëve është i njëjti.
Fakti se muzika e njëjtë është përdorur në dy këngë, nuk mund të konfirmohet si plagjiaturë. Prandaj, derisa nuk bëhet një ankesë zyrtare, Kroacia nuk do ta ndryshojë këngën pjesëmarrëse në Eurovision.
Situata është e njëjtë si ajo e lansimit të “How Do I Live”, edhe nga Trisha Yearwood edhe nga Leann Rimes në maj të vitit 1997. Kënga ishte shkruar nga Diane Warren. Versioni i Trishas fitoi një çmim Grammy dhe ishte pjesë e filmit “Con Air”, derisa kënga e Rimes u bë hit botëror.
Kjo është hera e dytë brenda tre vitesh që kënga pjesëmarrëse e Kroacisë në Eurovision përfshihet në akuza për plagjiaturë. Në vitin 2016, kënga “Lighthouse” e Nina Kraljic u akuzua si kopje e këngës “Uncover” të Zara Larsson.
Franka do të performojë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovisionit, të martën më 8 maj. /Telegrafi/