Telegrafi

Kënga e Rovena Stefës në filmin e Colin Farrell (Video)

Në filmin aksion, romancë dhe dramë, kënga e Rovenës dëgjohet për 32 sekonda dhe është zgjedhur nga stafi profesional i filmit me buxhet prej 30 milionë dollarësh.

“Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet produksionit të njohur hollivudian DMD Productions dhe ‘TE ROVI’ Production dhe është e para kontratë për përdorim të një kënge shqiptare në një film të Hollywoodit, e cila ka sjellë natyrisht edhe përfitime materiale për Roveneën”, ka deklaruar menaxherja e këngëtares, Elisa Stefa.

Në këtë film, krahas Farrell, luajnë edhe aktorë të tjerë të njohur, si Noomi Rapace, Terrence Howard, si dhe aktori me origjine shqiptare, James Biberi.

“Mbikëqyrësja për muzikën e filmit, Maggie Rodford, personalitet shumë i njohur në industrinë e filmit në Hollywood, na kontaktoi në muajin nëntor 2012, pasi kishte parë dhe dëgjuar këngën ‘Malli’, në YouTube. Ajo u shpreh me superlativa për vokalin dhe stilin e veçantë, por njëkohësisht autokton shqiptar të Rovenës dhe dëshira e tyre ishte të kishin me patjetër një nga këngët e Rovenës në këtë film”, ka shtuar Elisa. /Telegrafi/