Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Ava Max, po vazhdon të shënojë suksese të shumta në arenën ndërkombëtare.
Së fundmi, ajo lansoi klipin e këngës “My head and my heart”, e cila njëherësh është ndër këngët më të suksesshme të albumit “Heaven and Hell”, të cilin ajo e publikoi në shtatorin e vitit të kaluar.
“My head and my heart”, ka filluar menjëherë të arrijë suksese të shumta, duke u dëgjuar në mbarë platformat muzikore.
Këngëtarja me prejardhje Shqipëria publikoi në InstaStory një fotografi të Apple Music, ku aktualisht kënga e saj renditet e para në kategorinë e klipeve muzikore.
E njëjta këngë ndodhet në vendin e tetë në nivel global, në listën e këngëve më të dëgjuara të momentit.
Ky sukses patjetër që e ka gëzuar artisten shqiptare, e cila tashmë ka një shtrirje të gjerë të njohjes në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin në fillim të këtij, Ava Max kishte folur për dëshirën e saj për ta vizituar Shqipërinë në një të ardhme të afërt.
“Ndjehem sikur e kam thënë tani për vite me radhë dhe i kam thënë vetës hajde pra, është koha të shkoj atje! Kështu që po – premtoj se do të vij në Shqipëri. Prejardhja ime është shumë e rëndësishme për mua dhe atë se kush jam tani. Prindërit e mi u zhvendosën këtu nga Shqipëria dhe ma kanë ngulitur këtë krenari të pabesueshme për vendin tonë. Mezi pres të vij”, ka thënë këngëtarja shqiptare. /Telegrafi/