Pas humbjes ndaj Malagas, Barcelona i është kthyer fitoreve në La Liga, këtë herë duke fituar ndaj Real Sociedadit me rezultat 3-2.
Ishte një lojë e balancuar, paksa edhe e vështirë për vendasit, por në fund një fitore e merituar nga ata.
Të gjithë golat u shënuan në pjesën e parë. Çdo gjë filli me dy golat e Lionel Messit në minutat (17’ dhe 37’) .
Por, në minutën e 42-të Samuel Umtiti devijoi topin në portë dhe paksa nga kjo mysafirët u motivuan.
Messi edhe një herë doli në skenë në minutën e 44-të, por këtë herë me një asistim në Paco Alcacer.
Sociedadi në minutat shtesë të pjesës së parë ngushtoi epërsinë me anë të Xabi Prietos dhe me rezultatin 3-2 përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë ishte lojë e qetë, ku lufta dhe qarkullimi i topit u bë në mesfushë dhe nuk kishte shanse të mira për gol nga asnjëra skuadër.
Pas kësaj fitore Barcelona vazhdon në pozitën dytë me 72 pikë, duke ndjekur Real Madridin në pozitën e parë me 75, ndërsa Sociedadi vazhdon në pozitën e shtatë me 52 pikë.
Ndeshja e ardhshme e Barcelonës është ndaj Real Madridit në El Clasico. /Telegrafi/