Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) përmes një kumtese ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarëve të televizionit “24 Vesti”. Nga KEMM thonë se dhuna ndaj gazetarëve dhe pengimi i punës së tyre, ka filluar të bëhet problem serioz, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Trendi i dhunës ndaj gazetarëve dhe pengimi i punës së tyre, ka filluar të bëhet problem serioz. Me këtë po tentohet që të cënohet liria e mediave dhe e drejta që opinionin të informohet drejtë. Shteti është përgjegjës për ndërmarrjen e masave aktive për të krijuar ambient të përshtatshëm për lirinë e shprehjes, ndërsa ky detyrim është edhe me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në kumtesën e KEMM./Telegrafi/