Site icon Telegrafi

Kemi ndikim, nuk jemi vetëm numër!

Organizata të ndryshme, institucionet ndërkombëtare, Qeveria e politika, vazhdojnë të flasin me shqetësim për rolin dhe pozicionin e gruas si "fuqi publike", mirëpo gruaja në vendin tonë ende nuk e ka fituar këtë status të ligjshëm me Kushtetutë, për të qenë vetëvendosëse në shoqëri.

Megjithëse gruaja është brenda në politikë e në institucione, caktimi i përqindjes se sa do të jetë përfaqësimi i grave në politikëbërje vendoset nga "shefat". Ky është një cenim publik i së drejtës së gruas për të qenë e barabartë në të drejtat e saj kushtetuese dhe aftësitë e saj drejtuese e qeverisëse. Kjo është si një barrierë për gruan, jo nga Kushtetuta, jo nga ligji për punë, por nga "shefat" e pushtetit.

Institucionet mundohen të caktojnë vlerën e gruas përmes përcaktimit të kuotës gjinore dhe këtë absurditet këto institucione e quajnë si "arritje madhore" të tyre në integrimin dhe zbatimin e lirive shoqërore të gruas! Institucionet vendosin se sa gra duhet të jenë deputete, ministre, rektore, drejtuese, police etj. Këto poste me përqindje u jepen vetëm grave! Në vend të krijimit të hapësirës për të drejtën e lirisë vendosëse të gruas, institucionet tona krijojnë kuota me të cilët e ngufasin lirinë dhe zhvillimin e tyre.

Avancimi i gruas në jetën publike nuk bëhet përmes përcaktimit të përqindjes së kuotës, por përmes ofrimit të mundësive në jetën politike e shoqërore. Kosova nuk është për t’u lavdëruar në këtë diapazon të çështjeve të avancimit të gruas. Për shkak të angazhimit të dobët të institucioneve, gruaja kosovare mbetet më e pazhvilluar në rajon.

Roli i gruas në jetën ekonomike e politike të vendit është një domosdoshmëri, për të cilën kërkohet bashkëpunim nga të gjithë akterët. Ndikimi i saj në ndryshimet dhe zhvillimet kultutore në shoqëri është shumë i rëndësishëm, sepse ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shoqërisë.

Pavarësisht problemeve që gruaja ballafaqohet sot, ajo ka filluar të ketë rol ndikues për përmirësimin e rolit të saj në institucionet themelore të jetës publike e politike, që kanë ndikime të drejtpërdrejta në realizimin e zhvillimit të personalitetit të saj si qytetare dhe barazisë gjinore në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit tonë.

Në ditët e sotme, gratë kanë mundësi të jenë të përfshira në jetën sociale e politike, mund të arsimohen dhe të zhvillohen profesionalisht në jetën akademike, të jenë të integruara dhe kontribuuese në pjesëmarrje në mënyrë të barabartë në institucione sociale e ekonomike. Mirëpo, gjithmonë me një përqindje të vogël.

Institucionet në Kosovë kanë zhvilluar mekanizma që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas, mirëpo akoma nuk janë arritur efektet e duhura. Nga ky fakt nuk mund të thuhet se gruaja kosovare ndodhet në pozicionin e lakmuar. Gruaja nuk duhet të jetë e diskriminuar. Pozitën e saj mund ta vendosë në pozitë të favorshme nëse angazhimi dhe iniciativat e saj janë të mjaftueshme dhe të përkrahura nga shoqëria dhe institucionet.

Jetesa në një shoqëri patriarkale pa dyshim që ndikon në zhvillimin dhe emancipimin e saj dhe e gjithë kjo është shkaktuese në mos zhvillimin e vendit. Dimensionet e lirisë së gruas janë zgjeruara, shoqëria është me e vetëdijesuar për të drejtat e grave dhe rolin që ato duhet të kenë në shoqëri, mirëpo është një proces që ecën përmes vështirësive dhe kontradiktave.
 

Exit mobile version