Njëri prej pronarëve të servisit të automjeteve ku punoi për afro katër muaji shtetasi afgan në Shkodër ka hedhur poshtë faktin se i mituri është mbajtur me forcë në punë.
Lazër Pashuku, vëllai i të arrestuarit Alehandro Pashuku dhe të shpallurit në kërkim Kristjan Pashuku dhe babai i tyre Aleksandër Pashuku, tregojnë se afganin e kanë mbajtur si të ishte njeri i familjes duke i dhënë bukë, ilaçe, para dhe duke e strehuar në banesën e tyre.
Pronarët e servisit ku u gjet afgani tregojnë se ai ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin i vetëm ose bashkë me punonjësit e tjerë, sipas dëshirës, shkruan A2.
Ata shprehen se e kanë takuar rastësisht në një lokal aty afër dhe e kanë marrë për ta ndihmuar duke qenë se ishte i uritur dhe i pastrehë. Pronarët thonë se shtetasi afgan i ka thënë se është 19 vjeç dhe jo 16 dhe se ai ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij. Po ashtu, Lazër Pashuku shprehet se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar te familja e tij në Greqi.
Pronari tregon se ka dashur ta ndihmojë që të largohet drejt Greqisë duke i dhënë para dhe ushqime për rrugën, por sipas tij, afgani i ka kërkuar që të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë për të punuar, shkruan A2.
Po ashtu, babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij. Familja Pashuku kërkon drejtësi për të arrestuarin Alehandro Pashuku dhe të shpallurin në kërkim Kristjan Pashuku duke thënë se nuk është e vërtetë se e ka trafikuar dhe se nuk ka patur asnjë lloj presioni, përkundrazi e kanë ndihmuar atë maksimalisht.