Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka marrë vendim që ta anulojë konfirmimin e ligjshmërisë së vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronës komunale me pronën private.
Në një vendim që ka marrë ky dikaster të hënën “autorizohet Departamenti Ligjor dhe Monitorim të Komunave i MAPL-së, të bëjë shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit Nr.01-020/04-236518/23, i miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur me datë 21.12.2023, sipas kritereve të përcaktuara me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Kreu X dhe Rregulloren (QRK) për Shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave”.
Ndryshe, ekzekutimi i këtij vendimi është pezulluar ditë më parë edhe nga Ministria e Financave.
Në vendimin e MF-së “pezullohet ekzekutimi i vendimit 01-020/04-236518/23 të dt. 26.12.2023 të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit përmes këtij vendimi të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit”.
KOHA ka raportuar se me propozim të ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kaluar vendimi për dhënien e pronës rreth 7-hektarëshe në “Prishtina e Re” biznesmenit Rrahman Haradini, në këmbim të rreth 10 hektarëve që i kishte në pronësi në Badoc.
Mbi bazën e këtij vendimi, edhe kryetari aktual Rama e ka nënshkruar kontratën me ish-klientin e tij. Mbi po të njëjtën bazë ka propozuar këmbimin edhe të një prone tjetër me vlerë dhjetëra miliona euro, me pronën 8-hekatëshe në Badoc.
Vendimi i fundit ka kaluar edhe me ndihmën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, prezenca e të cilëve në sallën e Kuvendit Komunal u interpretua nga kryesuesi si kuorum për vendimmarrje. /Telegrafi/