Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, procesin eventual të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, e konsideron si papranueshëm dhe të dëmshëm.
Kelmendi ka thënë për Telegrafin se mbajtja e zgjedhjeve eventuale të shtetit fqinj në vendin tonë, ka ndikim negativ në shumë sfera.
Ai ka ftuar komunitetin serb në Kosovë, që t’i kthejnë sytë nga Prishtina zyrtare. Në të kundërtën, sipas tij, thirrjet, promovimi dhe kampanjat e klasës politike të Serbisë drejtuar bashkëkombësve të tyre në Kosovë, do t’i shkaktojnë dëm të madh këtyre të fundit.
Kelmendi nuk ka lënë pa përmendur se në mesin e shumë problemeve që po i shkakton Serbia serbëve të Kosovës, është edhe aspekti ekonomik.
“Organizimi i një procesi të tillë (mbajtja e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë), do të shkaktojë dëm shumëdimensional. Kjo shkon së pari në dëm të vet serbëve të Kosovës. Ndërhyrjet e klasës politike të Serbisë, te serbët e Kosovës, po e dekurajojnë këtë pakicë që të angazhohet në vet-zhvillim dhe të sigurojë qëndrueshmëri ekonomike”, ka shtuar ai për Telegrafin
Kelmendi më tutje ka thënë se zgjerimi i fushatës elektorale për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, edhe brenda territorit të Kosovës, “po kthehet në shqetësim për institucionet e Kosovës, dhe nuk po e shtojnë motivin te serbët për tu angazhuar në bashkëpunim me Prishtinën zyrtare që ta përmirësojnë gjendjen ekonomike”.
“Beogradi zyrtar nuk ka ofertë premtuese, e cila do të jetë valide për këtë territor. Ata, pavarësisht pretendimeve të tyre, nuk administrojnë me Kosovën. Shkurt e shqip, janë duke i hedhur ‘hi syve’ serbëve të Kosovës. Adresa e vetme për zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti është te Prishtina zyrtare”, ka theksuar ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, mendon se nuk është normë demokratike që në zgjedhjen e presidentit të një republike tjetër, të ndikojnë më votë qytetarët e një shteti tjetër.
“Një proces votimi i tillë, i organizuar në Republikën e Kosovës, mund të jetë pre e manipulimeve, duke ndikuar në zgjedhjen e presidentit serb. Pra, do t’i bënte dëm vet Serbisë. Fakt tjetër është se, presidenti i zgjedhur i Serbisë, nuk do të mund të shtrijë asnjë funksion ekzekutiv në territorin e Kosovës, (një realitet ky i njohur edhe për serbët që nga viti 1999)”, ka thënë ai.
Kelmendi mendon se tubimet elektorale në Kosovë, për zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, nuk janë demokratike, sepse sipas tij, “në këto tubime në vend se të promovohej mbështetja e pakicës serbe, afirmimi i të drejtave të tyre dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës, po promovohet Republika e Serbisë dhe po pengohet dhe prolongohet inkuadrimi i serbëve nëpër institucionet e vendit”.
“Ne jemi dëshmitarë se fqinji verior vazhdimisht i ka ushqyer ndjenjat e pakicës serbe me propagandën se Kosova është pjesë e Serbisë”, ka theksuar ai.
Kelmendi ka kërkuar që OSBE-ja të kujdeset që votimi i qytetarëve me dy shtetësi, të organizohet njëjtë sikur në shtetet e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se “ do të ishte mirë që fletëvotimet të dërgohen me postë”.
“Votimi i mbajtur edhe brenda territorit të Kosovës për zgjedhjet serbe, do të persekutonte edhe vet qytetarët e kësaj pakice, të cilët nëse nuk po u përgjigjen thirrjeve tu bërë pjesë e votimit, atëherë do të kushtëzohen se do u ndërpriten ndihmat financiare dhe në forma tjera, që i marrin nga shtetit serb. Nëse votimi do të bëhej përmes postës, do respektohej mundësia e mendimit ndryshe”, ka thënë Kelmendi për Telegrafin.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, ka thënë se qytetarët serb të shtetit më të ri në Evropë, duhet ta kenë të qartë sipas tij, që zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, janë rruga që duhet të zgjedhin për të ardhmen e tyre.
“Çdo angazhim i tyre për dyshtetësi është personal, dhe jo në interes të jetës politike në Kosovë. Nëse procesi i votimit të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, do të mbahej edhe brenda territorit të Kosovës, do të mund të prodhonte edhe efekte tjera negative, duke e ditur se shumë vendbanime kanë popullatë të përzier”, ka shtuar ai.
Kelmendi ka thënë se ai do të punojë në të ardhmen që aktivitetet politike të institucioneve kosovare të jenë në bashkëpunim me OSBE-në, për të avancuar proceset zgjedhore në vend dhe proceset zgjedhore të qytetarëve me shtetësi të dyfishtë, konform me ato të BE-së. /Telegrafi/