Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi kishte ftuar sot në villen e tij në Kuqishtë, kryetarët e partive politike parlamentare.
Arsyeja e ftesës nga ana e Kelmendit ishte që të diskutohej rreth çështjes së marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo e cila nesër shkon në Kuvend për votim.
Mirëpo ky takim nuk u realizua pasi që liderët e dy partive opozitare, Ramush Haradinaj nga AAK dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, vendosën që të mos marrin pjesë në këtë takim, pasi që siç u shprehën ata pjesë e këtij takimi do të jetë edhe presidenti Hashim Thaçi.
Telegrafi ka kontaktuar me deputetin Kelmendi i cili theksoi se për asnjë moment nuk ka marrë konfirmim nga presidenti Thaçi që do të jetë pjesë e këtij takimi.
“Unë i kam ftuar publikisht të gjithë përfaqësuesit institucional. Konfirmimin e parë për takim e ka bërë z.Ramush Haradinaj dhe pas tij kam marrë konfirmim edhe nga Fatmir Limaj dhe Kadri Veseli e Isa Mustafa të cilët thanë se do të vijnë në takim në cilësinë e kryetarëve të partive”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka theksuar më pas se anulimi i këtij takimi u bë nga opozita të cilët thanë se tashmë nuk mund të marrin pjesë në takim, pasi që kanë filluar aktivitet e tyre sipas agjendës së ngjeshur. /Telegrafi/