Telegrafi

Kelmendi: Tentimi për të sanksionuar Thaçin, është qëllim për të heq nga skena të vetmin lider i cili ka marrëdhënie të avancuara me SHBA-në

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi ka komentuar situatën e krijuar politike pas publikimit të letërkëmbimit mes presidentit Hashim Thaçi me sekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, lidhur me rolin e FSK-së.

Kelmendi duke komentuar letrën që kryeministri Albin Kurti i ka dërguar kryeparlamentares Vjosa Osmani, lidhur me marrëveshjen mes Thaçit dhe Rasmussen për rolin e FSK-së, ka pohuar se tentimi për të nxitur kryeparlamentaren që të ftojë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit dhe tentimi për të njollosur Presidentin,  është akt i ultë i kryeministrit.

“Çdo tentim për të krijuar ambient të tërthortë, për të nxitur deputetët e Kuvendit që të krijojnë komisione për të nisur iniciativën për shkarkimin e Presidentit Thaçi, do ishte një akt i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës, e në anën tjetër, edhe më i ultë është kur ndodhë, duke përdorur Kryeparlamentaren që të sanksionoi ish-Kryeministrin Mustafa dhe të krijojë konflikte mes LDK-së dhe PDK-së”, ka shkruar Kelmendi në llogarinë e tij në Facebook, përcjellë Telegrafi.

Më tej, ish-deputeti ka thënë se tentimi për të sanksionuar Thaçin, nuk është asgjë tjetër pos qëllim për të hequr nga skena të vetmin lider kosovarë i cili ka marrëdhënie shumë të avancuara me mikun e madh SHBA-të.

“Kjo është një rënie e ultë dhe tentim për të dobësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nga kjo, jemi dëshmitarë se Amerikanët nuk e pranuan takimin me Kryeministrin Kurti nga Sekretari Pompeo, por sekretari u takua me zv/kryeministrin nga radhët e LDK-së. Andaj, tentimi për të sanksionuar Presidentin nuk është asgjë tjetër pos qëllim për të hequrë nga skena të vetmin lider kosovarë i cili ka marrëdhënie shumë të avancuara me mikun e madh SHBA-të dhe me EU-në, e ku jemi edhe dëshmitarë të takimit të përzemërt me sekretarin Pompeo dhe pritjen me Gardë nga  Sekretar i Mbrojtjes. Pra gjithnjë duhet të kemi të qartë se institucionet janë të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe duhet respektuar funksionet. Ndryshe, është e dëmshme dhe jo kushtetuese tentimi për të njollosur vizitën e Presidentit Thaçi në SHBA”, vijon shkrimi i Kelmendit.

Në fund të shkrimit ai ka shkruar se është shumë vështirë është të krijosh miq, e më vështirë është t’i mbash ata.

“Le të punojmë për të shtuar dhe avancuar edhe më shumë raportet me miqtë ndërkombëtarë e në veçanti me SHBA-të”, përfundon shkrimi i Kelmendit./Telegrafi/