Site icon Telegrafi

Kelmendi: Do ta vazhdoj betejën për ta realizuar platformën time ekonomike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ramiz Kelmendi, ka theksuar se do të vazhdojë betejën për ta implementuar platformën e tij për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në emisionin “Info – Magazine” të Klan Kosova, ai ka theksuar se është i zhgënjyer pse deri më tani nuk ka arritur që premtimin që ia ka bërë elektoratit ta zbatojë në praktikë, duke shtuar se nuk dëshiron që në zgjedhjet e radhës të dalë para votuesve si njeri që nuk e ka mbajtur premtimin e dhënë.

“Ndryshimi i gjendjes ekonomike do të mund të ndryshojë brenda gjashtë muajve, që do të thotë se ndryshimet për këtë periudhë mund të jenë të prekshme dhe përfituese nga akterët ekonomikë”, ka theksuar Kelmendi.

Ai më tutje ka thënë se “nëse unë jam i zgjedhur si deputet, e kam edhe një moral elektoral”, duke shtuar se “mendoj me u marrë më politikë derisa mundem me kontribu”.

“Si të dal në zgjedhjet e ardhshme me ndonjë propozim punësimi, nëse unë nuk e kam realizuar atë premtim në mandatin që kam qenë deputet. Është akt moral nëse diçka nuk të shkon me gjet një arsyetim para elektoratit. Nuk mund të them se e kam një kompani të suksesshme, se jam biznesmen i suksesshëm, por jo i suksesshëm në politikë. Nuk dua që kjo fjali të më përcjell në pension. Kam dëshirë që mundësitë e mija praktike dhe teorike të ndihmojnë që ta ndryshojmë jetën e një gjenerate njerëzish”, ka shtuar Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version