Site icon Telegrafi

Kelmendi priti në takim Bordin udhëheqës të OAK-së

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim Bordin udhëheqës të Odës së Afarizmit të Kosovës.

Gjatë takimit, zëvendëskryeministri Kelmendi u njoftua për aktivitetet e odës, e cila ka filluar veprimtarinë e saj gjatë 3 muajve të fundit, por edhe për qëllimet e saj në mbrojtjen e bizneseve.

Zëvendëskryeministri Kelmendi foli për punën që po bën Qeveria e Kosovës deri në finalizimin e Pakos Fiskale 2, përmes së cilës prodhuesit vendor do të trajtohen në mënyrë të barabartë me prodhuesit e regjionit.

Në takim, zëvendëskryeministri Kelmendi, tha se Qeveria ka arritur që të ulë papunësinë nga 35 në 26 për qind dhe po ashtu ka shënuar hapa pozitiv në procesin e fiskalizimit të bizneseve.

“Pakoja fiskale 2 do të jetë një rilindje për prodhuesit e Kosovës. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa është e përkushtuar për të mbështetur prodhuesit vendor dhe në përgjithësi zhvillimin ekonomik”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Me këtë rast, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se rritja e zhvillimit ekonomi në këtë Qeveri ka shënuar hapa pozitiv në krahasim me qeveritë e mëhershme, duke njoftuar edhe për qëllimet që ka kjo odë në mbrojtjen e bizneseve. /Telegrafi/

Exit mobile version