Telegrafi

Kelmendi: Politikat fiskale i barazojnë prodhuesit me prodhuesit e rajonit

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve në Kolegjin “ISPE” në Prishtinë, ku u prit nga rektori i Kolegjit, Avni Mazrreku.

Fillimisht, zëvendëskryeministri Kelmendi ka folur për fillimet e karrierës së tij, punët e para që ka bërë, si dhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar.
Duke parë që forcimi i bizneseve private është mënyra më e mirë e zhvillimit ekonomik të vendit, zëvendëskryeministri Kelmendi ka këshilluar studentët, që nëse duan të hapin bizneset e tyre, së pari të kuptojnë më mirë nevojën që ka tregu, e më pas të interesohen për mundësitë që ka për investimin e këtyre bizneseve.

Në këtë aspekt, zëvendëskryeministri Kelmendi përmendi lehtësirat që ka bërë Qeveria e Kosovës.

“Përpara, për të regjistruar një biznes është dashur të pritet deri në 30 ditë. Pastaj, është dashur që të regjistrohet në Ministrinë e Tregtisë, në Doganë, në Administratë Tatimore, në tri vende të ndryshme. Tash i gjithë ky proces kryhet për tri ditë dhe regjistrimi në të tri vendet bëhet në mënyrë automatike”, tha ai.

Hapja e bizneseve në Kosovë nga të rinjtë është e favorshme edhe për shkak se tatimet janë më të vogla në rajon, prej vetëm 10 për qind në dividentë dhe në punësim. Por sipas zëvendëskryeministrit Kelmendi, lehtësirat e krijuara nga shteti janë rritur edhe me krijimin e Fondit për Garantimin e Kredive, për të rinjtë që kanë projekte, por nuk kanë mbështetje kolaterale.

“Politikat fiskale sot po përmirësohen në raport me të kaluarën. Ne kemi pas politika fiskale të disfavorshme për prodhuesit e Kosovës, dhe tash jemi në përgatitje të një pakoje të re fiskale që do t’i barazojë me prodhuesit e vendeve të rajonit dhe më gjerë”, tha zëvendëskryeministri Kelmendi.

Sektorit që po ashtu i është kushtuar rëndësi është bujqësia.

“Për sektorin e bujqësisë kemi subvencione dhe grante. Planifikojmë të japim kredi me subvenciomin të kamatës, në mënyrë që njerëzit të bëhen fermerë biznesmen, jo fermerë social”, tha zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi.

Gjatë kësaj ligjërate, zëvendëskryeministri Kelmendi është përgjigjur edhe në pyetjet e studentëve. Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ndikimin që ka sot në Kosovë, zëvendëskryeministri Kelmendi tha se tash produktet evropiane po zëvendësojnë ndikimin e prodhimeve nga vendet fqinje. /Telegrafi/