Site icon Telegrafi

Kelmendi: Përmirësimi i mjedisit afarist prioritet i Qeverisë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, mori pjesë në takimin koordinues të Task Forcës me grupet punuese për reformat që ndërlidhen me raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Kelmendi, theksoi se përmirësimi i mjedisit afarist ka qenë dhe mbetet prioritet i vazhdueshëm i Qeverisë.

Në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, zëvendëskryeministri Kelmendi bëri thirrje te të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për përmirësimin e indikatorëve, që të punojnë me seriozitetin më të madh, në mënyrë që ky cikël i reformave të jap rezultate konkrete, të cilat jo vetëm që do të ngrisin rangimin e Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, por do të japin efekte të prekshme në punën e bizneseve, duke afirmuar Kosovën para investitorëve vendorë dhe atyre të huaj, si vend ku ia vlen të investohet.

“Me vendim të Qeverisë ne kemi krijuar Task-Forcën e Kosovës për koordinimin e reformave për të bërit biznes dhe kemi caktuar organet qeveritare përgjegjëse për secilin nga indikatorët e raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes. Si rezultat i angazhimit të Task-Forcës dhe grupeve punuese, janë bërë një seri përmirësimesh, të cilat janë reflektuar në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku Kosova është renditur në pozitën e 60, të nivelit botëror”, tha ai.

Sipas Kelmendit, koordinimi institucional rreth adresimit të indikatorëve të Bankës Botërore në Kosovë, është cituar në raportin e fundit të Bankës Botërore si praktikë e mirë.

“Megjithatë, mbeten edhe sfida të shumta që ne duhet t’i adresojmë së bashku, në mënyrë që të përmirësojmë indikatorët në të cilët nuk jemi mirë të renditur. Për më tepër të gjithë e kemi të qartë se përmirësimi i ambientit të biznesit nuk mund të bëhet nga një ministri apo institucion i vetëm, por ai bëhet vetëm duke bashkuar dhe koordinuar përpjekjet tona që të largojmë çdo barrierë dhe të eliminojmë atë që quhet burokraci, e që paraqet kosto për bizneset”, tha zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version