Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka vizituar sot komunën e Istogut, ku ka thënë para bizneseve se kanë arritur t’i heqin ndëshkimet që kishin prodhuesit për makineritë prodhuese.
Kelmendi fillimisht pati takim me kryetarin e Istogut, Haki Rugova të cilin e njoftoi për planet e Qeverisë së Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik e veçanërisht sektorit të bujqësisë.
Ndërsa, Haki Rugova, kryetari i Komunës së Istogut, ka lavdëruar Kelmendin duke thënë se ai vazhdimisht është përkrahës i bizneseve.
Kelmendi më pas ka takuar përfaqësuesit e bizneseve, ku ka premtuar lehtësira duke thënë se edhe gjatë mandatit të tij ka pasur lehtësira për prodhuesit vendor.
Ai ka thënë se me pakon fiskale 2, do të lirohen nga dogana mbi 100 mijë artikuj.
Kelmendi më pas ka vazhduar vizitat në kompaninë e kultivimit të peshkut “Trofta”, në Istog, kompaninë “Devolli”, qumështi Vita, fermën “Graniti” në Istog, fermerët “Kovrage”, si dhe fabrikën e prodhimit të lëngjeve “Sinalco”. /kp/