Site icon Telegrafi

Kelmendi: Më ofruan ministri, vetëm të qëndroj në sallë në ditën e votimit të Presidentit

Deputeti i Pavarur në Kuvendin e Kosovës, Gëzim Kelmendi, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjinit, ka theksuar se në kohën kur është zhvilluar seanca për votimin e presidentit të Kosovës, ai ka qenë jashtë vendit.

Kelmendi ka thënë se i ka qëndruar besnikë fjalëve të cilat i ka thënë më herët, se nuk do të qëndroj në sallë, gjatë ditës së votimit të votimit të presidentit, duke e pamundësuar sipas tij, bërjen e kuorumit.

“Takimet e para për të më bindur për të qëndruar në sallë, kanë filluar para tri javëve, por takimet e fundit kanë qenë dy ditë para zgjedhjes së presidentit. Takimin e fundit e kisha me presidentin tashmë të zgjedhur, Hashim Thaçi. Nga unë është kërkuar të qëndroj në sallë, me ç’rast plotësimi i kësaj kërkese do të rezultonte më marrëveshje politike. Marrëveshja politike ka përfshirë që të jem pjesë e koalicionit qeverisës, për të drejtuar ministri, por që edhe të jemi pjesë e diplomacisë. Nuk kam mundur të shkelë mbi  fjalën e dhënë”, ka theksuar Kelmendi, transmeton Telegrafi.

Kelmendi, nuk e ka mohuar se pjesë e takimit të Kelmendit me Thaçin, kanë qenë persona me influencë në  rrafshin politik dhe afarist.

“Më është ofruar mundësia që të marrë në kompensim pozita për anëtarët e partisë ‘Fjala’. Ka qenë takim mjaft i gjerë. Përveç deputetit Ramiz Kelmendi, ka pasur përfaqësues të biznesit të Kosovës, por ka pasur edhe përfaqësues fetar”, ka shtuar Kelmendi.

Ai ka thënë se deputetët të cilët e shkelën besimin e votuesve të tyre dhe thyen premtimin e dhënë se nuk do të qëndrojnë në sallë, do të ndëshkohen nga votuesit e tyre, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, i pyetur sa e pret që të ketë hakmarrje politike nga ana e pushtetit, Kelmendi ka theksuar se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë, por edhe nëse ndodh kjo sipas tij, ai ka thënë se ka vendosur që t’i frikësohet vetë, Krijuesit dhe jo njerëzve. /Telegrafi/

Exit mobile version