Përkitazi me trendët për rritjen ekonomike që proklamohen nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, deputeti i pavarur dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, ka dalë me një rekomandime dhe shpjegime ndryshe nga ato që thuhen. Sipas Kelmendit, rritja e të hyrave dhe pothuaj çdo lloj rritje tjetër në vendin tonë po bëhet në dëm dhe në kurriz të popullit, pra blerësit – konsumatorit. Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e tij.
“Të hyrat e rritura në buxhetin e Republikës së Kosovës për këtë periudhë pesëmujore!
Më 1 korrik të vitit 2015 është bërë ndryshimi i TVSH-së, për shumicën e artikujve, nga 16 në 18% dhe për disa artikuj nga 16 në 8%.
Kujtojmë se ky ndryshim tatimesh kishte qëllim të rezultojë për një rritje të hyrash me mbi 70 milionë euro. Po ashtu, më vonë ndodhi dhe rritja e akcizës në duhan, edhe kjo me planifikim për rritje të hyrash mbi 30 milionë euro.
Pra, nga kjo del tani se qytetarët e Kosovës do të paguajnë mbi 100 milionë euro më shumë tatime në vitin 2016 sesa ne vitin 2015 dhe rrjedhimisht të gjitha inkasimet pozitive (të rritura) nga të hyrat doganore janë efekt i rritjes së TVSH-së, akcizës dhe një pjesë e tatimeve nga rritja ekonomike. Nëse kësaj ia shtojmë edhe rritjen e detyruar të disa çmimeve në bazën doganore gjatë importit, e në veçanti të atyre kompanive të rregullta, i bie se me këtë efekt të rritjes së çmimeve është ndikuar në zvogëlimin e të hyrave joproporcionale nga tatimet e brendshme. Ky efekt rritjeje i të të hyrave nuk është i bazuar në luftimin e informalitetit dhe dukurive tjera negative në masën e dëshiruar dhe të domosdoshme.
Këto të hyra të rritura mbi 70 milionë euro nuk lënë vend për planifikime afatgjate buxhetore, sepse më 1 korrik të vitit 2016 ky trend do të bie në raport me TVSH-në. Përveç me inkasimin e akcizës që është rritur më vonë, pjesa tjetër, pra këto të hyra të rritura në këtë formë, ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e qytetarit, ose në rritjen e shkallës së varfërisë së tyre. Më vonë do të vërehen efektet e kësaj ngritjeje të tatimeve dhe akcizës.
Qëllimet e proklamuara më herët nuk arrihen me një realitet çfarë ka ndodhur në këtë sferë të ekonomisë. Qëllimet pozitive, nëse ekzistojnë, janë të mundshme vetëm atëherë kur të rritet shkalla e zhvillimit ekonomik, shtimi i punësimit, rritja e investimeve të vendorëve dhe atyre të jashtëm. Vetëm atëherë mund të kemi rritje buxhetore të qëndrueshme dhe jo varfëruese. Të gjitha format tjera janë inkasim i detyruar dhe varfërim i standardit.
Vlen të theksohet dhe të merret parasysh se zhvillimin ekonomik të vendit tonë e bëjnë dy forma investimesh: ato të investitorëve vendorë dhe ato të investitorëve të jashtëm. Këto raporte janë 85% të të punësuarve bëhen nga ekonomitë individuale, si bujqësia, të vogla dhe të mesme me dominancë pra nga investitorët vendorë, ndërsa për ekonomitë e mëdha vend dominant zënë investitorët e jashtëm. Për këta të fundit sugjeroj se mund të bëhen me ministritë e resorëve të ndryshëm dhe tërë spektrin politik vendor apo kombëtar, meqë bisedat dhe angazhimet duhet të jene me proporcion të parashkruar. Nëse ky proporcion i parashkruar nuk është në këtë formë, atëherë këtu kemi ngecje të bashkëpunimit me akterët ekonomikë të nevojshëm.
Në vetëdijen tonë politike dhe njerëzore, vend të veçantë kanë zënë edhe sot investitorët e jashtëm apo sipas fjalëve të sodit shihen si inekzistent. Kjo sepse të gjithë investitorët e jashtëm, kontaktet e para i kanë me investitorë të brendshëm dhe nëse përshtypjet e tyre formohen nga këto bashkëbisedime, atëherë procesi i negocimit është me pabesueshmeri apo edhe më keq, qytetarët i kanë besuar spektrit të vet të politikanëve të ardhmen e tyre e në mesin e tyre edhe bizneset. Ndërsa, nëse e kthejmë anasjelltas, kurrsesi këta politikanë të besojnë tek qytetarët, në këtë rast tek biznesmenët. Nga kjo e vërtet nxjerrim mësim se duhet ndryshuar në vetëdijen e politikës, meqë nuk ka qytetarë apo afaristë të paaftë, por ka qytetarë dhe afaristë të paangazhuar dhe me pa mundësi bashkëpunimi.
Në Kosovë sot janë të punësuar në sektorin privat mbi 240 mijë persona, ndërsa në sektorin publik mbi 80 mijë sosh. Pensione sociale dhe të tjera janë mbi 70 mijë, e këtij numri tashmë i janë shtuar edhe mbi 40 mijë veteranë. Dhe, nëse i mbledhim këta parametra realë, na del se kemi 240 mijë të punësuar dhe afër 200 mijë të tjerë që financohen nga buxheti i krijuar nga ekonomia. A munden këta të punësuar të kontribuojne për të gjithë këtë aparat? Jo. Dhe, shqetësimi tjetër është se edhe nuk kemi shtim të punësimit në sektorin privat, meqë ka diçka që po e pengon këtë zhvillim.
Sipas analizave të mia del se janë këto elemente primare të identifikuara:
1. Mungojnë zonat ekonomike të organizuara për të bërë veprimtari ekonomike profesionale me kushte të avancuara dhe të përshtatshme për investitorët dhe kërkesat e tyre.
2. Politikat fiskale të pafavorshme e në veçanti për prodhimin. Pse nuk krijohet një grup ekspertësh dhe të trajtohen me kujdes të veçantë pengesat fiskale që po kërkohen nga bizneset dhe organizmat ekonomik në vazhdimësi?
3. Politikat e kreditimit, në veçanti për prodhimtarinë e nevojshme dhe për qytetarët që nuk kanë kolaterale hipotekare dhe pjesëmarrje në investime të domosdoshme me rregullativat në fuqi, për aq sa duhet të presin për fondin e zhvillimit ekonomik, apo duhet të presin bashkimin e 400 milionë dollarëve ose mund të fillohet edhe me një milion apo më shumë euro.
4. Politika të zhvillimit dhe financimit të bujqësisë. Këtu duhet më së paku investim për kokë banorë. Sa vjet duhet të pritet për të marrë grante, në mënyrë që njerëzit të investojnë, apo edhe për këta të formohet Fondi i garantimit të kredive dhe t’u hapet rruga të gjithë atyre që kanë aftësi për investim dhe zhvillim.
5. Sistemi i arsimimit të ngritet në nivelin e njohurive, në mënyrë që të rinjtë t’u orientohen profileve të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe profesional. Shembull, realiteti i sotëm është shumë shqetësues kur testi i kalueshmërisë ishte një test i aftësisë së njohurive të përgjithshme, e mbi 50% të cilët kaluan sa prej tyre kanë përdorur informatat e lëshuara në internet. Edhe kjo tregon se po i përcjellim në tregun e njohurive personat e papërgatitur.
Të gjitha këto shqetësime dhe shembuj të faktuar mendoj se kanë ndikimin e vet në sistemin ekonomiko-politik, sepse gjendja ekonomike po përcakton edhe kufizimet ekonomike, politike dhe lirinë e lëvizjes në një kohë kur e tërë Evropa po bllokon lëvizjen e lirë, apo po na e dëmton tërësinë qytetare me këtë bllokim” (sic.), ka shkruar Kelmendi. /Telegrafi/