Lidhja Demokratike e Kosovës sot gjatë ditës bëri publike listën e përbashkët me AKR-në dhe Alternativën me 110 kandidatë për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit.
Në këtë listë zëvendëskryeministri në detyrë Ramiz Kelmendi gjendet në listë me numrin 26, por nuk po e ndien vetën keq me renditjen e tij në këtë listë, edhe pse nuk është ndër të parët.
Ai tha se kjo renditje është bërë me pëlqim dhe marrëveshje me zyrtarë të LDK-së. Kelmendi pret nga këto zgjedhje se do të fitoj mandatin për deputet dhe do të jetë zëvendëskryeministër edhe i Qeverisë së re.
“Unë mendoj se pozicioni në lista është bërë me qëllime të caktuara për me u shpërndarë njerëzit me autoritet jo vetëm me qenë të parët, por me qenë nga mesi e nga fundi në mënyrë që me sensibilizua votuesin. Unë nuk e ndiej vetën keq, është bërë me pëlqim dhe me marrëveshje dhe nuk e shoh si problem numrin 26, për arsye se njerëzit që donë mund të votojnë aty ku jam. Patjetër se do të jem deputet i ardhshëm nga LDK dhe zëvendës kryeministër në Qeverinë e re”, tha Kelmendi për KosovaPress.
Para Kelmendit në listë është futur Vlora Dumoshi, Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj, Naser Osmani, Ilir Deda, Imet Rrahmani, etj.