Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi ka thënë se PDK është penduar për prishjen e koalicionit qeverisës me LDK-në.
Kelmendi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në LDK ka grupe që duan bashkëpunim me PDK-në, ka të tjerë që duan bashkëpunim me Vetëvendosjen.
“Partia politike është gjithmonë aktive dhe ka grupe që kanë sferat e ndryshme të interesit. Por, interesi i LDK-së është që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Kelmendi, përcjell Telegrafi.
Deputeti i LDK-së ka thënë se ka njohur që PDK i ka bërë ofertë LDK-së për bashkëqeverisje.
“Ka oferta nga PDK. Ka edhe grupe brenda LDK-së që nxisin bashkëpunime me PDK-në, por unë nuk jam pjesë e këtyre grupeve”, tha ai.
Kelmendi ka thënë se PDK ka kuptuar gabimin që sipas tij ka bërë në raport me LDK-në.
“Gjithkush e kupton gabimin e vet dhe tenton ta përmirësojë. PDK-ja nuk po i bën ofertë LDK-së që të rrëzohet Haradinaj, të vjen një kryeministër i ri që do të hiqte taksën, e pastaj të shkohej në zgjedhje… Haradinajn, PDK mund ta shkarkojë kur të don, sepse e ka shumicën”, tha Kelmendi./Telegrafi/