Site icon Telegrafi

Kelmendi: Konspiracioni politiko mediatik për të rrënuar sukseset e kryeministrit Mustafa

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, përmes një shkrimi të postuar në profilin e tij në Facebook, thotë se nuk do të fitojë askush që e vendos autoritetin, pushtetin dhe fuqinë mediatike në funksion të keqes politike dhe shoqërore.

Duke akuzuar nismëtarët e mocionit për votëbesimin e Qeverisë, ai i del në mbrojtje kryeministrit Isa Mustafa duke akuzuar opozitarët me këto fjalë: “Kurrë nuk marrin në gojë edhe liderët e tyre dhe disa të cilët gjithnjë ishin pranë liderëve të cilët Kosovën e sollën në listën e shteteve me krim dhe korrupsion – bile në vendet e para të listës botërore dhe ne vendet e para të revistave dhe mediave botërore me dukuri të tilla”.

Shkrimin e Kelmendit mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Konspiracioni politiko mediatik për të rrënuar sukseset e kryeministrit Mustafa

Duke parë konspiracionin politico-mediatik të disa mediave dhe liderëve politikë, sidomos ata të cilët nuk morën mbështetje nga qytetarët për platformën e tyre politike dhe ekonomike mbi Kosovën në zgjedhjet e kaluara, del se tani po tentojnë, me kokëfortësi dhe këmbëngulësi, të rrënojnë dhe të minimizojnë të arriturat e Qeverisë Mustafa.

Kjo nuk është e drejtë, dhe aspak politike – pra, që opozita të pengojë me dhunë proceset pozitive dhe proceset që janë shpresëdhënëse për qytetarët. Nuk është e drejtë që disa liderë të thirren nga e kaluara e largët politike, duke sajuar që edhe punët e suksesshme të asaj kohe të regjistrohen si të gabuara, ndërsa kurrë nuk flasin për kohën e tashme dhe të viteve të pavarësisë. Kurrë nuk marrin në gojë edhe liderët e tyre dhe disa të cilët gjithnjë ishin pranë liderëve të cilët Kosovën e sollën në listën e shteteve me krim dhe korrupsion – bile në vendet e para të listës botërore dhe ne vendet e para të revistave dhe mediave botërore me dukuri të tilla.

Nuk është e drejt që qëndrueshmëria, aftësia dhe sinqeriteti të kuptohen si dobësi, por duhet vlerësuar si virtyt, sepse jemi mëse të frustruar kur shohim disa liderë dhe vartës të tyre që shpifin dhe as që skuqen. Ku është karakteri politik? Nuk është e drejt të kërkohet largimi, sepse këtë pozitë dhe këtë qeverisje e ka mundësuar vota e qytetarëve, koalicioni i madh dhe normalisht mbështetja e qytetarëve.

Nuk është e drejt që fillimi i ndryshimit pozitiv të zhvillimit ekonomik, ndalja e krimit dhe korrupsionit t’i atribuohen atyre liderëve të cilët e ngritën, e ushqyen dhe e rritën krimin dhe korrupsionin.

Sot, kur e shohim një demarkacion, i cili që nga qershori i vitit 1999 është nën administrimin e shtetit fqinj, Malit të Zi, dhe nga ajo kohë kemi shumë liderë komunalë, qeveritarë, politikanë dhe deputetë të zonave të cilët gati asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin për këtë kontest, shtrohet pyetja: Athua nuk ka ekzistuar kjo çështje apo kanë qenë të zënë me punë tjera të njohura, dhe tani e ngritin zërin pas përfundimit të marrëveshjes së nënshkruar ?

Përse i atribuohet kryeministrit të tanishëm Mustafa kjo gjë (kur ky proces është në skenë që nga viti 2012) dhe jo liderit i cili ka qenë pjesë e ndërtimit dhe së fundi e nënshkrimit të marrëveshjes. Më lehtë është të gjykojnë të pafajshmin, sepse po gjykojnë interesin për pozicionin politik. Si është e mundur që të tri partitë opozitare të jenë njëzëri – nga demokracia e tepërt apo nga pjesa tjetër e demokracisë?

Andaj, konspiracioni politiko-mediatik dhe tentimi i izolimit të rastit vetëm tek kryeministri, është gjë tjetër që vetëm të këshillohen të tjerët se kinse ju nuk keni nevojë të ndihmoni drejtësinë. Nisur nga ky realitet dhe nga përvoja që na ka mësuar, duhet ditur se kurrë dhe asnjëherë nuk do të fitojnë askush nga ata të cilët e vendosin autoritetin, pushtetin dhe fuqinë mediatike në funksion të keqes politike dhe shoqërore”, ka shkruar Kelmendi. /Telegrafi/

Exit mobile version