Ish-deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi në Debat Plus me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka folur për kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre duke e vlerësuar si të drejtë pasi ai thotë se profilin e saj po e kërkon elektorati i LDK-së.
Kelmendi ka thënë se i ka mbetur hatri që Vjosa Osmani nuk ka vizituar biznesin e tij në Pejë gjatë vizitës që ajo ka pasur në këtë qytet.
“Unë ia kam uruar asaj postin. Por të vijë në Pejë e të mos vizitojë biznesin e deputetit të partisë së saj është një fiasko. Për mua ky ka qenë një mesazh se nuk bëj pjesë në planet e saj”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Afaristi ka thënë se po e heton edhe bashkëpunimin me LDK-në.
“Bisedat e mia me njerëzit e LDK-së janë shumë të pakta. Unë nuk jam njeri që endem lartë e poshtë rrugëve të Pejës”, shtoi Kelmendi.
Ai ka thënë se nuk ka pranuar të jetë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pasi nuk ka shumë kohë dhe “nuk dëshiron t’ia zë vendin dikujt tjetër”.
Kelmendi ka bërë të ditur se oferta ka pas nga partitë e tjera por jo në formë të shkruar./Telegrafi/