Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, vizitoi sot industrinë e tekstilit “VAVA” në Podujevë.
“Gjatë takimi zëvendëskryeministri Kelmendi theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e bizneseve vendore, dhe stimulimin e bizneseve të reja me qëllim të hapjes së vendeve të reja të punës”,thuhet në njoftimin për media.
Me këtë rast zëvendëskryeministri Kelmendi tha se industria e tekstilit do të luaj rol kyç në zhvillimin e biznesit, e cila do të ndihmoj në avancimin e punësimit të grave si dhe në rritjen e mirëqenies sociale për familjet kosovare.
“Qeveria e Kosovës po punon me përkushtim në eliminimin e informalitetit me qëllim që bizneset të zhvillohen dhe të jenë të barabarta në zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Po ashtu inkurajoj bizneset e reja që të ndërmarrin guximin e investimeve në fusha të ngjashme”, tha Kelmendi.
Pronari i industrisë së tekstilit “VAVA”, Mirsad Kamerolli, pasi e falënderoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për vizitën, e njoftoi për fillimin e biznesit, numrin e të punësuarve si dhe potencialin ekonomik që pritet ta ketë në vitet në vijim./Telegrafi/