Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish anëtari i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka takuar sot liderin e PDK-së, Kadri Veselin, të cilit i ka konfirmuar mbështetje gjatë fushatës zgjedhore në kandidaturën e tij për Kryeministër si dhe platformën DEKADA E RE të PDK-së.
Kelmendi, i cili në prag të fushatës zgjedhore bëri publik vendimin e tij se më nuk do të jetë pjesë e asnjë subjekti politik, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “nga sot, për këtë fushatë zgjedhore me tërë bagazhin tim profesional dhe njohuritë ekonomike, zhvillimore, biznesore dhe politike, kam vendosur ta mbështesë Liderin e PDK-së z.Kadri Veseli në kandidaturën e tij për Kryeministër si dhe platformën DEKADA E RE të PDK-së!”.
Postimi i plotë i Kelmendit:
“Miq të nderuar,
Nga sot, për këtë fushatë zgjedhore me tërë bagazhin tim profesional dhe njohuritë ekonomike, zhvillimore, biznesore dhe politike, kam vendosur ta mbështesë Liderin e PDK-së z.Kadri Veseli në kandidaturën e tij për Kryeministër si dhe platformën DEKADA E RE të PDK-së!
Normalisht, siç ju kam informuar më herët, unë nuk jam pjesë e drejtpërdrejt e garës zgjedhore ndaj dhe mbështetja ime do të jetë e pakusht, e hapur dhe shumë njerëzore.
Me z.Veseli kemi biseduar sot në një takim rastësorë nga i cili ka derivuar vendimi im.
Sinqeriteti për bashkëpunim mbetet reciprok dhe në respekt të kapaciteteve të ndërsjella për ti çuar proceset shtetërore përpara, gjithnjë brenda limitit të mundësive të mia shëndetësore”, ka shkruar Kelmendi.
Kelmendi edhe më herët kishte thënë se do ta mbështeste Kadri Veselin në fushatën zgjedhore pasi tha se ai i kishte bërë ofertën më të mirë. /Telegrafi/