Site icon Telegrafi

Kelmendi dhe Kuka shpërblehen edhe zyrtarisht

Bazuar në Rregulloren për Shpërblimet për Sportistët kulminantë, Kelmendi ka marrë shpërblim prej 8 mijë eurove, ndërkaq Kukës i takuan 4 mijë euro.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve u mbajt në MKRS, e ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

“Dua që njerëzit, veçanërisht të rinjtë ta shohin Majlindën si një model e cila është lindur këtu, është rritur këtu, është trajnuar këtu, ka sakrifikuar këtu, këtu e ka arritur këtë nivel që ka dhe këtu vepron, shkon në gjithë botën dhe kthehet prapë në Kosovë dhe Kosova përkujdeset për të”, ka thënë ministri Memli Krasniqi.

Me këtë shpërblim të ndarë sot, Majlinda dhe Dritoni kanë siguruar edhe mbështetjen e përhershme, e cila përcaktohet në Rregulloren për Mbështetje të Përhershme për Sportistët Kulmor.

Nga ana tjetër, xhudistja Majlinda Kelmendi tha se ndjehet shumë e lumtur për shpërblimin. “Sigurisht që jam shumë e lumtur sot jo vetëm për shpërblimin, por sot është një ditë historike për gjithë sportistët kosovarë. E ceku edhe ministri më herët, se asnjë sportist tashmë nuk do të jetë i varur prej dëshirës apo vullnetit të një ministri apo ndonjë institucioni të caktuar por të gjithë sportistët aty ku jam edhe unë do të varemi thjeshtë nga forcat tona, nga vetvetja apo na sukseset tona. Jam shumë e lumtur për shkak se e di sa ka punuar trajneri im bashkë me ministrin këto dy vitet e fundit. E di që nuk ka qenë aspak e lehtë kjo”, ka thënë ajo.

E trajneri i saj, Driton Kuka tha se ky sukses në Kampionatin Evropian dhe shpërblimi që po ndahet është një punë dhe meritë e gjithë njerëzve që për këto dy vjet kanë punuar shumë që sporti të ecë përpara.

“Besoj që sot ka qenë një ditë e madhe për sportin, për sportistët, për trajnerët dhe për të gjithë ata që përkushtohen në sport sepse tash nuk do të varet nga njerëz të cilët me siguri që politika gjithmonë do t’i ndërrojë por një ditë e madhe për vet ministrin sepse ky do të mbetet në histori si njeriu i parë i cili e ka promovuar sportin e Kosovës në mënyrën më të mirë dhe i cili e ka shty me shumë telashe e probleme”, deklaroi trajneri pejan, raporton Express.

“Ne e dimë të gjithë që Kosova ka shumë probleme, e dimë që është një shtet shumë i ri, me shumë sfida edhe në këto rrethana që të arrihet të bëhet një ligj kaq i mirë për sportin unë me të vërtet jam shumë i kënaqur dhe pothuajse nuk po kam shumë tekst, por megjithatë jam shumë i gëzuar jo vetëm për këto shpërblime por kjo është edhe një udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme”, përfundoi ai. /Telegrafi/ 

Exit mobile version