Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Sipas komunikatës për media, gjatë takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi ambasadorin francez për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Kosovën, duke e njoftuar për prioritetet dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, për fuqizimin e gjithanshëm të vendit.
Në takim u bisedua për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e sektorit të bujqësisë, për luftimin e korrupsionit, lehtësimin e qarkullimit për bizneset, për përmirësimin e politikave fiskale, sundimin e ligjit si dhe angazhimet e veçanta për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe vendor.
Kelmendi theksoi mundësitë për investime në Kosovë nga investitorët francezë, duke përfshirë sjelljen e makinerive moderne.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, shprehu përkushtimin e tij për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Chabert foli për projektin e ujërave të zeza, ku Kosova ka nënshkruar financimin e projektit, dhe po ashtu theksoi se investitorët francezë janë të interesuar për investime në Kosovë, si në ndërmarrje të vogla ashtu edhe në ato të mesme.
Ambasadori francez shprehu gatishmërinë për formimin e Klubit të Bizneseve Franko-Kosovar, ngjarje kjo që pritet të mbahet në Paris në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. /Telegrafi/