Kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça ’89 ka vazhduar të përforcohet gjatë afatit kalimtar të janarit.
‘Minatorët’ kanë goditur duke transferuar futbollistin prishtinas të Skënderbeut, Shend Kelmendin.
89-shi me Skënderbeun kanë bashkëpunim të mirë që disa vite dhe kjo ishte një ndihmë e madhe nga klubi korçar.
Ish-sulmuesi i Prishtinës është prezantuar nga kryetari i klubit Abedin Zeka.
Kelmendi tanimë ka filluar stërvitjet me kampionët në fuqi të Kosovës.
Por nuk është zbuluar nëse Kelmendi iu bashkua 89-shit si huazim apo si transferim i përhershëm.
Kelmendi iu bashkua Skënderbeut vitin e kaluar por që nuk pati hapësirat e duhura tek ish-kampionët e Shqipërisë.
Pas 18 ndeshjeve në Superligë, Trepça ’89 zë pozitën e shtatë në tabelë me shtatë pikë më pak se lideri Llapi. /Telegrafi/