Telegrafi

KEK-ut i bie faturimi, rritet importi

Sipas këtij raporti në vitin 2010 janë faturuar rreth 175.7 milionë euro apo 0.6 për qind më pak se gjatë vitit 2010.

Po ashtu, gjatë periudhës së njëjtë kohore Korporata Energjetike e Kosovës ka rritur në masë të madhe importin e energjisë elektrike. Sipas të dhënave statistikore, KEK-u ka importuar 818.4 gigavat orë energji elektrike, apo 6.6 për qind më shumë se në vitin 2009.

Në anën tjetër, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës thonë se gjatë vitit që lamë pas KEK-u ka pasur një rritje të inkasimit prej më shumë se 4.1 milionë euro.

Sipas tyre, kjo rritje ka ardhur si rezultat i rritjes së performancës së KEK-ut.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se gjatë vitit 2009 KEK-u ka inkasuar 160 milionë euro, ndërkaq gjatë vitit 2010 rreth 177.8 milionë euro. Ndërkaq sa i përket rritjes së importit të energjisë elektrike, zëdhënësi Buzhala thotë se KEK-u ka rritur importin, po ka zvogëluar të hyrat, si pasojë e rënies së çmimit të energjisë.

“Importi për vitin 2010 është realizuar në vlerë rreth 39.7 milionë euro, ndërsa për vitin 2009 importi ka kushtuar 46.3 milionë euro. Pra, pos që është siguruar më tepër energji elektrike për konsumatorët, janë kursyer edhe afro 7 milionë euro”, tha ai.

Por, në anën tjetër njohës të fushës së energjisë në vend, thonë se Korporata Energjetike e Kosovës është duke funksionuar në situatë të jashtëzakonshme.

Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, thotë se KEK-u edhe më tej po ka probleme me faturim të energjisë elektrike. “Konsumatorët e KEK-ut vazhdojnë të mbesin të njëjtë, ose të ulen, por nuk ka rritje të numrit. Kjo është shqetësuese”, tha ai.

Ish-ministri i Energjisë thotë se të dhënat që publikon KEK-u rreth faturimit dhe inkasimit të energjisë elektrike asnjëherë nuk janë të sakta. Çeku thotë se problem serioz në këtë korporatë është rritja e importit të energjisë elektrike për të mbuluar dështimet e menaxhmentit. /Zëri/Telegrafi/