Telegrafi

KEK-ut borxhe 350 milionë euro

Zyrtarë të KEK-ut, thonë se edhe pse ka borxhe të mëdha të konsumatorëve, KEK-u po tregon suksese në inkasim dhe faturim të energjisë elektrike. E rajoni i cili prinë më me shumë borxhe është distrikti i Mitrovicës.

“Borxhi i përafërt i konsumatorëve ndaj KEK-ut është rreth 350 milionë euro. Borxhet janë të shtrira tek konsumatorët në të gjithë vendin, por më të theksuara janë në Distriktin e Mitrovicës”, tha zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala, për Telegrafi.

Sipas tij, ka rritje të vazhdueshme të inkasimit dhe faturimit të energjisë elektrike, duke krahasuar me vitet paraprake. “Inkasimi në gjashtëmujorin e parë të vitit është 92 milionë euro apo një rritje mbi 15 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha zëdhënësi Buzhala.

Ndërkaq, Alban Hashani, ekspert i çështjeve ekonomike thotë për Telegrafi, se sektori i energjisë në Kosovë është mjaftë tërheqës dhe me potencial të madh për investitorëve të huaj.
“Borxhet e konsumatorëve ndaj KEK-ut do të pasqyrohen në ofertën që investitorët e huaj do të ofrojnë gjatë procesit të privatizimit dhe rrjedhimisht Kosova do të ketë pozitë më të dobët negociuese në raport më këta investitorë”, tha Hashani.

Sipas tij, në privatizim do të ndikojë edhe keq-menaxhimi i KEK-ut. Pavarësisht zhvillimeve pozitive në KEK ende mbetet sfidë qasja e KEK-ut në veri të vendit. /Telegrafi/