Telegrafi

KEK-u se di sa ka fituar më 2010

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala ka bërë të ditur për Telegrafi.com se shumë shpejt do të bëhet llogaritja e bilanceve për vitin 2010. “Të  hyrat e përgjithshëme gjatë vitit 2010 janë 190 milionë euro. Ende nuk dihen sa janë fitimet por, bilanci do të bëhet shumë shpejt deri sa të përmbyllen të gjitha llogarit”, tha Buzhala.

Përderisa KEK-u se di sa ka fituar, Korporata Elektro Energjetike Shqiptare (KESH) ka bërë llogaritë. Sipas zyrtarëve të saj, fitimet gjatë vitit që lamë pas janë 120 milionë euro.

Ëngjëll Zeqo, drejtori i përgjithshëm i KESH-it tha se këto fitime janë për shkak të prodhimit të bollshëm të energjisë elektrike nga hidrocentralet. Sipas tij, KESH-i gjatë 2010 ka mundur të shlyejë dhjetëra milionë euro detyrime, si dhe të realizojë fitime.

"Gjatë vitit 2010 KESH-i ka arritur të ardhura gati 200 milionë euro me një fitim total rreth 120 milionë euro", bëri të ditur Zeqo.

KEK-u vetëm gjatë vitit të kaluar ka marrë në formë të subvencioneve nga buxheti i shteti 124 milionë euro. /Telegrafi/