Telegrafi

KEK-u privatizim ose kolaps

Qeveria e Kosovës është e sigurt që sivjet do ta privatizojë Korporatën Energjetike të Kosovës. Aq e sigurt sa që për vitin 2012 nuk planifikon ta ndajë asnjë cent për këtë ndërmarrje. Pritjet se do të ndodhë privatizimi kanë qenë edhe për vitin e kaluar, por që nuk ndodhi ashtu. Planifikohej që në dhjetor të 2010`ës, të kryhej privatizimi i rrjetit të distribucionit.

Pavarësisht pritjeve për privatizim, për këtë vit Qeveria pati ndarë rreth 60 milionë euro për Korporatën. E, për sivjet nuk do të ketë herë të dytë. Ose duhet të privatizohet ndërmarrja, ose të kolapsojë në mungesë të mjeteve financiare. Kështu sepse me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2011-2013, Qeveria nuk ka planifikuar ta ndajë asnjë cent për KEK-un për vitin 2012. Krejt kjo në emër të privatizimit të saj të sigurt.
“Nga viti 2012, nuk janë planifikuar shpenzime të tjera për këtë qëllim, sepse pritjet janë që gjatë kësaj periudhe do krijohen kapacitete të reja përmes investimeve të sektorit privat”, thuhet në KASH, raporton Express.

Aktualisht, projekti për privatizimin e Distribuimit dhe furnizimit të energjisë elektrike është në fazën e parakualifikimit. Më 25 janar është publikuar ftesa për parakualifikim dhe ka qenë e hapur deri më 18 mars. Që në ditët e para janë bërë 13 kërkesa nga kompani ndërkombëtare. Ndërkohë, deri në datën përmbyllëse kjo shifër ka mundur të rritet.

Se është puna shumë serioze tregon edhe vendosmëria e zyrtarëve të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, që ta kryejnë privatizimin sivjet. Me ta marrë postin e ministrit, Besim Beqaj, paralajmëroi se prioritet i kësaj ministrie mbetet privatizimi i ndërmarrjeve publike.

“Prioritet i Ministrisë të cilën do ta udhëheq, do të jetë vazhdimi i privatizimit. Do të procedojmë shumë shpejt me privatizimin e PTK-së, do të vazhdojmë me procedurat e filluara më herët në fushën e përgatitjes së distribucionit”, pati thënë Beqaj. /Telegrafi/