Telegrafi

KEK-u nuk e stabilizoi furnizimin me rrymë

Po ashtu, ky raport tregon se gjatë vitit 2010, eksporti i energjisë elektrike, në krahasim me importin nga KEK-u, ka qenë më i lartë për 23,813 megavatë. Derisa të gjeturat e këtij raporti tregojnë se KEK-u ka pasur vonesa në përmbushjen e obligimeve të kontraktuara me prodhuesit vendorë për shkak të planifikimit të dobët për kapacitetet prodhuese nga prodhuesit vendorë të energjisë elektrike, shkruan Kosova Sot.

“KEK-u nuk kishte arritur t’i shpenzojë të gjitha mjetet e dedikuara për import të energjisë elektrike për vitin 2010. Në të njëjtën kohë, furnizimi me energji elektrike nuk ishte stabil (në këtë periudhë kishte reduktime ndaj konsumatorëve). KEK-u gjatë vitit 2010 kishte realizuar shkëmbime të energjisë elektrike kryesisht me Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH). KEK-u kishte eksportuar më shumë në krahasim me importet për 23,813 megavatë”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Raporti tregon se prodhuesit vendorë të energjisë nuk kishin ofruar planifikim të mirë për kapacitetet e tyre prodhuese, ndërsa KEK-u nuk kishte arritur t’i përmbushë me kohë të gjitha obligimet e kontraktuara ndaj tyre dhe se ka pasur vonesa gjatë ekzekutimit të pagesave.

“Dobësitë e vërejtura tregojnë se sistemi i kontrollit të brendshëm kërkon të përmirësohet. Në lidhje me këtë, rekomandimi ynë i përgjithshëm për Bordin e KEK-ut është që ta forcojë nivelin e menaxhimit të përgjithshëm në procesin e importimit, blerjeve vendore dhe shkëmbimeve të energjisë, duke pasur objektiv stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në vend”, qëndron në raport.

ZAP-i bën të ditur se ky auditim i KEK-ut ka të bëjë me subvencionin qeveritar për importim të energjisë elektrike, blerjen e energjisë brenda vendit dhe shkëmbimet e energjisë elektrike gjatë vitit 2010. /Telegrafi/