Telegrafi

KEK-u kërkon shtrenjtimin e rrymës

 Sipas Drejtorit të KEK-ut Arben Gjukaj, konform rritjes së kërkesës e cila ishte më e lartë 6 për qind është rritur edhe prodhimi i qymyrit dhe gjenerimi i energjisë. Kurse importi i energjisë është zvogëluar nga 41.3 milionë euro sa ka qenë në vitin 2009 në 36 milionë euro në vitin që po lëmë pas.

Kurse inkasimi dhe faturimi i KEK-ut kanë shënuar një rënie të lehtë në dallim me një vit më herët. Sfidë për vitin e ardhshëm sipas Gjukajt mbeten humbjet e kësaj korporate.

Në anën tjetër, ministrja në largin e Energjetikës dhe Minierave Justina Shiroka-Pula ka kundërshtuar pretendimet e KEK-ut për ngritjen e çmimit të rrymës.

Ajo tha se KEK-u duhet të bëjë përpjekje që të shtojë inkasimin, të mbledhë borxhet, kurse sa i përket çmimit, ai tash për tash nuk ka bazë për t’u ngritur.

Ngritjen e çmimit të energjisë e kanë kundërshtuar edhe konsumatorët, të cilët në anketat e bëra me këtë rast, nga mediat, janë shprehur se kosovarët në gjendjen aktuale sociale nuk do të kishin mundësi të përballojnë çmime më të mëdha të rrymës. /Telegrafi/