Telegrafi

KEK u jep tenderë kompanive të ndëshkuara

Kompania që së fundi u shpërblye me tender nga KEK-u, por që është edhe në listën e kësaj korporate si kompani që e ka shkelur kontratën, është “PBC Kosova”. Asaj së fundi iu dha tenderi për “Furnizim me Switch” në vlerë prej 43,764 euro, kurse në vitin e kaluar ishte ndëshkuar me 9.915 euro për mospërmbushje të kontratës.

Pos saj janë edhe 8 kompani të tjera të kësaj liste që tashmë kanë marrë së paku nga një tender, e ka edhe të atilla që i kanë marrë nga dy tenderë edhe pse ishin dënuar për më shumë se nga 5 kontrata të papërmbushura me KEK-un.

Për zyrtarët e KEK-ut kjo është krejtësisht në rregull. “Një kompani nuk mund të marrë pjesë në një tender vetëm nëse OSHP-ja ka lëshuar një urdhër që ajo kompani është futur në listën e zezë. E futja në këtë listë bëhet në qoftë se i është tërhequr vërejta disa herë dhe nuk e ka përmbushur kontratën, e po ashtu nëse mospërmbushja me kohë e kontratës i ka shkaktuar dëme autoritetit kontraktues”, ka thënë për gazetën “Zëri” Viktor Buzhala, zëdhënësi i KEK-ut.

Ai tha se kompanitë që i kanë shkaktuar dëm KEK-ut, me të gjitha faktet janë përcjellë në OSHP. /Telegrafi/