Telegrafi

KEK-u dhe PTK-ja – kampionë të tenderëve njëburimorë

Numri i tenderëve njëburimorë është shtuar dukshëm gjatë vitit 2014. Posta dhe Telekomi i Kosovës, KEK-u, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit prijnë për numrin e tenderëve njëburimorë.

Këto janë të dhënat që kanë dalë nga raporti i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik që është shqyrtuar, të mërkurën, në Komisionin Parlamentar për Financa Publike, shkruan Koha Ditore.

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit tha se niveli i kontratave njëburimore është rritur dukshëm në vitin 2014 për faj të KEK-ut dhe PTK-së.

“Prej gjithë zhvillimeve neve na ka rezultuar me një rritje të procedurës së negociuar. Prej analizës ka dalë që këtë nivel të procedurës së negociuar e kanë rritur dy zhvillime: instalimi i platformës 3G, që ka qenë në nivel 31 milionë dhe e dyta zhvillimet që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës pas avarisë që e kanë rritur emergjencën dhe detyrueshmërinë teknike për të përdorur këtë procedurë”, ka thënë Hoxha. /Telegrafi/