Telegrafi

KEK-u apel për kursim të energjisë elektrike

Ky konsum i energjisë sipas zyrtarëve të KEK-ut vërehet në kryeqytet, si duket pasojë e mungesës së ngrohjes nga Termokosi. “Përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje krijon vështirësi në furnizim me energji elektrike dhe rrezikon asetet energjetike si pasojë e mbingarkesave”, thuhet në njoftimin e KEK-ut për media.

Kërkesa në kohë piku ka tejkaluar 1100 megavatë orë. Vetëm në qytetin e Prishtinës gjatë dy ditëve kërkesa është rritur përnjëherë me 25 për qind në krahasim me ditët e kaluara.

Asetet energjetike në vend në kohën kur janë instaluar nuk është paraparë që energjia elektrike të përdoret për qëllim të ngrohjes së objekteve. Rrjedhimisht, djegëja e tyre do të jetë e paevitueshme nëse qytetarët vazhdojnë ta përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

Korporata apelon tek qytetarët që të kryejnë obligimet edhe ndaj Termokosit, në mënyrë që kjo ndërmarrje publike të mund të kryej punën e saj në këtë kohë kur mbizotërojnë temperatura polare, në mënyrë që të lehtësohet edhe furnizimi me energji elektrike. /Telegrafi/