Telegrafi

KEK trajnon punëtorët për manipulim me makineri të rënda

Ky projekt i financuar nga USAID-i do të implementohet në Qendrën e trajnimit të KEK-ut. Projekti parasheh trajnime për makineri të rënda për punëtorët brenda dhe jashtë korporatës.

Në fazën e parë të trajnimin janë të përfshirë kandidatë nga KEK-u dhe kompanitë për ndërtimin e rrugëve. Instruktorët e Qendrës së trajnimit dhe njësive të KEK-ut do të vazhdojnë me trajnimin e punëtorëve të përzgjedhur për fazën e dytë. Trajnimi në këtë fazë do të bëhet nën mbikëqyrjen e Trajnerëve nga kompania Amerikane HEVICERT e cila është implementuese e këtij projekti.

Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj tha se pjesa teorike e trajnimit do të zhvillohet në Qendrën e trajnimit ndërsa pjesa praktike do të kryhet trajnim në vend pune duke shfrytëzuar makineritë e KEK-ut. Sipas tij, organizimi i trajnimeve të natyrës së tillë tregon përkushtimin e KEK-ut në avancimin e profesionalizmit si brenda ashtu edhe jashtë korporatës. “Me ndihmën e USAID-it do të kemi më shumë manipulues të makinave të rënda si për prodhimin e qymyrit dhe energjisë elektrike, ashtu edhe për ndërtim të rrugëve,” theksoi Gjuka.

Kandidatët të cilët do të arrijnë të përmbyllin me sukses trajnimin do të pajisen me Certifikatë dhe pasaportë ndërkombëtare për Manipulimin e makinave të rënda. Interesimi i kompanive jashtë KEK-ut për pjesëmarrje në këtë trajnim është mjaft i madh. /Telegrafi/