Telegrafi

KEK, privatizimi në vitin 2010

“Kjo do të mundësojë që edhe menaxhmenti ekzistues edhe qytetarët e Kosovës, të kenë mundësi që në çdo cep të Kosovës, të kemi infrastrukturë të qëndrueshme, të ngritët distribucioni dhe performanca e faturimit dhe largimit të humbjeve teknike, komerciale dhe formave tjera të keqpërdorimit të energjisë elektrike”, ka theksuar ministri Shala.

Ministri Shala theksoi se qëllimi i qeverisë është që sa më shpejtë dhe sa më shumë operatorë privat të futen në Kosovë, në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji për qytetarët e Kosovës, pa përfshirje të buxhetit të Kosovës. Ai nënshkroi sot marrëveshje me Korporatën Financiare Ndërkombëtare për fillimin e studimit të formave të përfshirjes së sektorit privat në rrjetin e shpërndarjes.

Përfaqësuesi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare, Shahbaz Mavadat, tha se kjo është një sfidë, në të njëjtën kohë edhe një hap i rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjeve në sektorin e energjisë. Sipas tij fillimi i punës së këshillimit të transaksionit është bërë i mundur falë punës së donatorëve të përfshirë në këtë projekt, si Banka Botërore dhe USAID.

“Sistemi ka nevojë për investime të shumta, e gjithashtu duhet të gjenden mënyra që humbjet, të cilat janë të pranishme, të reduktohen në masë të madhe. Duhet të vlerësohet edhe mundësia e qytetarëve për ta paguar rrymën dhe për këtë duhet të gjendet zgjidhje dhe rritja e pagesës së borxheve duhet të bëhet përmes mjeteve ligjore”,ka theksuar z. Shahbaz Mavadat.

Mavadat sqaroi se projekti këshillimor do të zhvillohet në dy faza; gjatë fazës së parë do të bëhet vlerësimi i gjendjes së deritashme, ndërkaq gjatë fazës së dytë do të përgatitet transaksioni për përfshirjen e sektorit privat, përgatitja e kushteve për para-kualifikim, shpallja e tenderit dhe përzgjedhja e operatorit. I tëre procesi parashihet të zhvillohet dhe të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm.