Telegrafi

KEK: Nuk kemi falë asnjë borxh të konsumatorëve

“Kohën e fundit kanë qarkulluar dezinformata, të cilat janë plasuar edhe nëpër media se kinse KEK-u ua paska falur borxhin këtij apo atij komuniteti. KEK demanton fuqishëm këto dezinformata, dhe sqaron se i konsideron të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë, pra nuk i ndanë në vija etnike, religjioze apo racore, dhe do të kërkojë nga të gjithë shlyerjen e borxhit deri në centin e fundit”, thuhet në njoftimin zyrtar të KEK-ut.

KEK tutje ka shtuar se, vendosmërisë së korporatës i janë përgjigjur një numër i madh i konsumatorëve, dhe po i përgjigjen gjithnjë e më tepër.

“Këtë e tregojnë edhe shifrat e inkasimit. Gjatë katërmujorit të parë të këtij viti inkasimi bruto ka arritur në 56 milionë euro, që është 40 për qind më i lartë se katërmujori i parë i vitit 2008, kur ishin inkasuar 40 milionë euro. Prodhimi i energjisë elektrike është rritur për 11.7 për qind, ndërsa situata e furnizimit me qymyr është jashtëzakonisht stabile, ku në deponitë e TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B” rezervat nuk janë asnjëherë nën 400 mijë tonë”. /Telegrafi/