Telegrafi

KEK na hëngri mbi 1 mld euro, duhet privatizuar

KEK- u, vazhdon të mbetet barrë e buxhetit të konsoliduar të Kosovës andaj është i domosdoshëm privatizimi i tij, tha Ahmet Shala ministër i ekonomisë dhe kryesues i komisionit të privatizimit të sektorit të distribuimit dhe furnizimit në KEK. Ai tha se transformimi i KEK-ut duhet të bëhet në mënyrën sa më të mirë dhe profesionale. Ndërsa duke u përqendruar në objektivat e tyre si qeveri ai përmendi disa çështje të cilat janë identifikuar në sektorin energjisë.

“Që humbjet të ulen maksimalisht komerciale apo teknike e këtë për mes inkuadrimit të sektorit privat. Ndërsa inkasimi i ulët që megjithatë është bërë progres i konsiderueshëm ka nevojë të vazhdoj me një ritëm dhe për tu arritur kjo duhet që i gjithë sistemi juridik po edhe përgjegjësia qytetare të rritet në mënyrë që rryma që konsumohet të paguhet”, tha Shala.

Ndërsa ministrja e energjetikës, Justina Pula Shiroka, tha se në kuadër të ministrisë së energjetikes dhe minierave e kanë projektin madhor Kosova e Re për të cilën ajo mendon se deri në fund të këtij viti do të kenë investorë për ndërtimin e tij.

“ Objektiv i parë është furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor të energjisë elektrike, rritje të faturimit dhe inkasimit, zvogëlimin humbjeve komerciale dhe teknike, investimet në zgjerimin e rrjetit dhe mos financimin e korporatës nga buxheti”, tha Pula.

Ndërsa, ministri i punës, Nenad Rashiq, i tërhoqi vërejtjen qeverisë që mos të merr masa radikale në veçanti sa i përket rritjes së faturave dhe sistemimit të punëtoreve duke pas parasysh gjendjen ekonomike sociale në të cilën ndodhet vendi.

“Duhet të kemi një modalitet të butë për të gjitha veprimet që do të ndërmerrni sepse kemi një gjendje të rënd sociale dhe ju uroj të gjithë atyre të cilët marrin vendime në këtë aspekt të kenë përsyshe këtë çështje sidomos sa i përket rritjes së tarifave dhe sistemit të punëtorëve pas privatizimit”, tha Rashiq.

Angello Dell Atti, përfaqësues i IFC-së nga Banka Botërore premtoj mbështetje maksimale në të gjitha aspektet në mënyrë që ky proces të kaloj në mënyrën më të lehtë dhe më të mirë të mundshme konform standardeve të jetës në Kosovë./rtklive/