Telegrafi

KEK inkason 135 milion euro

Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) thanë  se projekti për sigurimin e një transformatori për njësinë A të Termocentralit “Kosova A” pritet të realizohet deri në fund të muajit shkurt.

" Korporata për herë të parë pas shumë viteve do t’i ketë në dispozicion tri njësi gjeneruese nga “Kosova A”. Sigurimi i këtij transformatori do të kushtojë afro 3 milionë euro", tha Arben Gjukaj, ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të KEK-ut, duke shtuar se kjo do t’i mundësojë KEK rritjen e fleksibilitetit në fushën e prodhimit të energjisë elektrike.

Zyrtarë të KEK-ut njoftuan se Korporatën javën e ardhshme do ta vizitojnë përfaqësues të Korporatës Energjetike të Shqipërisë (KESH) me qëllim të përgatitjes së planeve të përbashkëta në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike.

“Marrëveshja dhe puna e përbashkët në këtë fushë do të rezultojë me ngritjen e efikasitetit të sistemit energjetik në të dyja vendet dhe do të reflektojë në uljen drastike të shpenzimeve që të dy korporatat bëjnë në fushën e sigurimeve të energjisë emergjente”, tha Gjukaj.

Sipas KEK-ut, gjatë vitit të kaluar gjykatat e vendit kanë vendosur 37 raste në favor të KEK-ut, gjatë ballafaqimit me konsumator që kanë dëmtuar pajisjet elektrike.

KEK-u ka filluar një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e pagesës në përmirësimin e shërbimeve ndaj tyre, këshilla për kursim të energjisë dhe informata mbi dëmet nga keq-shfrytëzimi i energjisë si dhe gjobat pasuese./telegrafi/