Telegrafi

KEK i përgatitur për dimër

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, ka treguar për Telegrafi, se ata gjatë verës kanë bërë riparimin e të gjitha njësitë që mund të prodhojnë energji elektrike. “Tashmë të gatshme janë dy blloqet e TC ‘Kosova B’ B1 dhe B2 si dhe njësitë A3, A4 dhe A5 të TC ‘Kosova A’. Njësitë B1 dhe B2 prodhojnë 10 për qind me tepër pas ndërrimit të rotorëve të turbinës. Kapaciteti total shkon në 950 megavat orë”, tha ai.

Por, sipas Buzhalës, një bllok i TC “Kosova A” është në vazhdimësi rezervë për ta rritur sigurinë e prodhimit për shkak të vjetërsisë së blloqeve dhe ndikimit në ambient.

“Kemi edhe tri lloje të kontratave afatgjata për import të energjisë elektrike, përkatësisht për energji elektrike të moduluar (nga ora 7:00- 23:00), për energji elektrike të kohës në orët e konsumit maksimal dhe për energji emergjente”, tha zëdhënësi Viktor Buzhala.

Ai ka treguar se kanë rritur bashkëpunimin edhe me kompanitë në rajon për të rritur shkëmbimet energjetike. “Kjo është një përgatitje në vazhdën e përmirësimeve të mëtutjeshme që janë bërë vazhdimisht kohën e fundit. Tash, ata që paguajnë faturat e tyre kanë energji elektrike, ndërsa ata që nuk paguajnë apo e keqshfrytëzojnë atë nuk do të kenë, sepse do të jenë të shkyçur nga rrjeti”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut Viktor Buzhala. /Telegrafi/